Como bën gjëmën në javën e 26 të Serie A teksa mori një fitore historike pasi vjen pas 75 vitesh ndaj Juventusit në Allianz Stadium me rezultatin 2-0 duke thelluar krizën e rezultateve për skuadrën e Luciano Spallettit që pësoi humbjen e tretë radhazi pas atyre me Interin në kampionat dhe Galatasaray në Ligën e Kampioneve.

Ishte Juventusi që e dha sinjalin e parë në këtë ndeshje me Yildiz që në minutën e 5 vuri në punë portierin Butez, por golin e gjeti pikërisht skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas me Vojvodën që mposhti Di Gregorion me një gjuajtje me të majtën që gjeti edhe devijimin e Mirettit. Në minutën e 22, Juventusi pati shansin për të barazuar me Opendan por ky i fundit e shpërdoroi mundësinë që pati. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 1-0 për Comon.

Në fillimin e pjesës së dytë, Spalletti hodhi në fushën e lojës Conceiçao për të shkundur skuadrën e tij me portugezin që tentoi, por gjuajtja e tij ishte i dobët. Në minutën e 61 Como gjeti edhe golin e dytë me Caqueret pas një vertikalizimit të Da Cunha duke e çuar rezultatin në 2-0. Në krahun tjetër Koopmeiners me gjuajtje me kokë iu afrua golit që përfundoi ngjitur me shtyllën. Më pas Spalletti hodhi në fushën e lojës edhe David, Boga dhe Adzic, por ai që pati mundësinë më të artë për të barazuar ishte sërish Koopmeiners, gjuajtja e të cilit nga goditja e dënimit u përplas në shtyllë. Në fund ndeshja u mbyll 2-0 për Comon që ngjitet në kuotën e 45 pikëve duke e ngushtuar në vetëm 1 pikë diferencën me Juventusin në vendin e pestë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB