7 laboratorë të rinj për AKU, 22.5 mln euro investim për rritjen e sigurisë ushqimore
Detyrimi për të implementuar brenda 6 muajve pajisjet e POS-eve në të gjitha bizneset shqiptare me në fokus ato turistike, ka ngritur shqetësimin e subjekteve.
Afati i shkurtër por i pa shoqëruar me marrjen parasysh të pengesave të sektorit është problem sipas Shoqatës së Operatorëve Turistikë.
Kryetari i Shoqatës, Zak Topuzi, për Top Channel shprehet se kostot e komisioneve të POS-eve dhe konvertimi i valutave do të rëndojnë aktivitetin e bizneseve sidomos në prag sezoni kur edhe duhet të jenë gati.
“Ne përkrahim planin ambicioz të kryeministrit për të kaluar nga pagesat cash në pagesa bankare, por sektori i hotelerisë është specifik, afati për 6 muaj është i shpejtë dhe për akomodimin e hoteleve është normale se ata vazhdojnë, problem është pjesa e apartamenteve dhe vilave, një pjesë janë jashtë sistemit të tatimeve.
Por dhe arsyeja pse shqiptarët nuk përdorin kartat si në vendet e tjera. Një nga arsyet janë dhe komisionet e larta që përdorin POS-et e bankave. Europa i ka nga 0.3 deri në 0.6% të çmimit që paguhet, ne i kemi 10 herë më të larta nga 2-3.5% të çmimit. Për një biznes të vogël që fiton 7-10% banka kthehet në një aksioner kryesor në 30-40% të fitimit.
Dhe të jesh aksioner me një POS banke, ne mendojmë që Banka e Shqipërisë mos të jetë vetëm këshilluese por dhe vendimmarrëse. Në mënyrë që POS-et të përdoren nga të gjithë strukturat.
Një tjetër janë dhe konvertimet penalizuese sepse kartat e turistëve janë në euro dhe dollarë dhe konvertimi do t’i bëjë të jenë të stepur ndaj veprimeve me kartë”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi.
Vendosja e detyrueshme e POS-eve nxjerr në pah dhe mungesën e sistemit të bakshisheve. Një implementim siç është aktualisht sipas operatorëve turistikë heq kategorikisht mundësinë e punonjësve për të përfituar.
“Banka e Shqipërisë në takimin me Ministrinë dhe Shoqatën e Bankave e ka gati programin. Programi i POS-it ka dhe sektorin e tipsit të bakshishit të implikuar në program dhe kjo nuk është detyrim. Por i jep mundësi që ta paguajë nëpërmjet një sistemi të rregullt.
Një operacion i thjeshtë duhet një përmirësim në programin SelfCare të tatimeve dhe u jep mundësi kamarierëve të marrin një bakshish për punën e tyre dhe do të rrisë cilësinë e shërbimeve”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi.
Jo vetëm komisionet e POS-eve, problem shqetësues për industrinë e turizmit janë dhe komisionet në pikat e ATM-ve të cilat qëndrojnë në vlera të larta në konvertimin e valutave.
“Mos harrojmë që vjet patëm probleme me disa ATM të bankave në jug për të tërhequr cash paguaje dhe 16% të shumës, një nga vërejtjet më të mëdha të turistëve. Banka e Shqipërisë më kontrolluese dhe vendimmarrëse”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi.
Përfaqësuesit e sektorit theksojnë se nuk janë kundër reformës, por kërkojnë të merren parasysh shqetësimet e tyre, ndërsa kërkojnë takim me institucionet përkatëse për të marrë zgjidhjet e duhura.
Top Channel