7 laboratorë të rinj për AKU, 22.5 mln euro investim për rritjen e sigurisë ushqimore

21/02/2026 17:54

7 laboratorët e rinj të sigurisë ushqimore që do t’i shtohen AKU, janë financim i Bankës Botërore, kostoja e tyre kap vlerën e 22,5 mln eurove.

Sipas shpërndarjes, 4 laboratorë do të jenë rajonalë përkatësisht në Shkodër, Durrës, Fier, Korçë. Ndërsa tre të tjerë në Tiranë, Gjirokastër, Vlorë do të mbështeten me pajisje të thjeshta për kryerjen e analizave rutinë.

“Katër laboratorët që do të investohen me fokus bazuar në produktet dhe kulturat që do të mbillen në zona, do të jenë, Laboratori i Shkodrës i cili ka në fokus bimët medicinale, laboratori i Korçës pasi është i fokusuar në shëndetin e kafshëve, laboratori i Fierit, që është i fokusuar tek analizat e perimeve dhe frutave, si dhe laboratori i Durrësit pasi është pika më e madhe hyrëse e importeve dhe eksporteve”, u shpreh koordinatori i projektit të Bankës Botërore, Bledi Mile.

Mesatarisht çdo vit 700 mijë euro nga buxheti i shtetit konsumohen nga ISUV, për analiza jashtë vendit pasi nuk ka kapacitet të ekzaminojë të gjitha dukuritë e produkteve ushqimore. Por këtyre kostove shtesë do t’u vijë fundi, pasi 2.5 mln euro do të shkojnë për blerjen e pajisjeve të reja.

“Sot kemi analiza të cilat ne i kryejmë jashtë vendit. ISUV një gamë të këtyre analizave i dërgon jashtë dhe kjo ka një kosto të buxhetit shqiptar rreth 700 mijë euro.

Me investimin që do të kryhen nga Banka Botërore me 7 laboratorë do të rrisim gamën dhe do të ulim kostot e shpenzimeve operative”, tha koordinatori i projektit të Bankës Botërore, Bledi Mile.

Ndërkohë do të ndërtohen edhe 4 magazina të mallrave të dyshuara, të cilat do të pajisen edhe me dhoma frigoriferike, që do të shërbejnë për ruajtjen e ushqimeve deri në nxjerrjen e rezultateve.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB