Protesta e PD-së/ Protestuesit hedhin molotov pranë Parlamentit, policia përgjigjet me gaz lotsjellës
Partia Demokratike po mban protestën e katërt kombëtare përpara Kryeministrisë.
Policia e Tiranës ka njoftuar se nuk e ka autorizuar Partinë Demokratike për këtë protestë.
Sipas policisë bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.
Vetëm pak minuta para fillimit të protestës, lideri i PD-së, Sali Berisha, shkoi në selinë “Blu”, ku nga do të niset për të shkuar përpara Kryeministrisë, aty ku do të mbajë dhe fjalimin e tij.
19:50 U shpërndanë me ujë nga policia, protestuesit lënë Kryeministrinë dhe mbërrijnë te Parlamenti
Policia iu përgjigje me autobota me ujë, duke i shpërndarë dhe duke shuar zjarrin që u ndez në disa pjesë të godinës. Menjëherë pas kësaj, ata braktisën Kryeministrinë dhe mbërritën përpara Kuvendit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla komentoi fillimin e protestës së katërt kombëtare të thirrur nga opozita përpara Kryeministrisë.
Përmes një postim në rrjetet sociale, Balla shkruan: “Ja sheshi, ja mejdani, ja dhe grupi kriminal që mbulohet me çadra (edhe pse nuk bie shi) gati për molotovët e një plaku të rrjedhur.”
19:32 Berisha mbaron fjalimin e tij, nis hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt Kryeministrisë
Menjëherë pas përfundimit të fjalës së Berishës, protestuesit filluan hedhjen e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së Kryeministrisë.
Reagimi i forcave policore ishte i menjëhershëm, të cilat hodhën ujë për të shpërndarë protestuesit.
19:30 “Regjimi i sotëm si diktatura 46-vjeçare”, Berisha: Rama do rrëzohet si shtatorja e diktatorit
Kryedemokrati Sali Berisha në protestën e katërt kombëtare, i bëri thirrje qytetarëve që të mos ndalojnë protestat e kryengritjet.
Duke krahasuar qeverinë e sotme me regjimin komunist, ai shprehu se Edi Rama do rrëzohet ashtu si shtatorja e diktatorin Enver Hoxha në vitin 1991.
Në protestën e katërt kombëtare të PD-së përpara Kryeministrisë, Sali Berisha kujtoi rënien e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991.
Në fjalën e tij në podium, Berisha u shpreh se pas 35 vitesh, Edi Rama ka marrë të gjitha pushtetet në dorë dhe bëri thirrje për largimin e tij nga qeveria.
“Ju që mblidheni sot në një nga ditët më të shënuara të historisë tonë kombëtare. 20 shkurti është dita në të cilën 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë, të mbledhur në Qytetin e Studentëve, në mbështetje të grevës së studentëve për të çliruar kombin dhe vendin nga kulti i Satanit, nën thirrjen e artistes së mirënjohur, Rajmonda Bulku dhe të protestuesve të shumtë, nisën drejt sheshit ‘Skënderbej’, të rrethuar nga të katër anët me autoblinda, mitraloza, snajperë. Në një betejë që shënoi kulmin e guximit të qytetarëve shqiptarë”.
Pedagogu Ermal Hasimja mori pjesë në protestën e PD-së para Kryeministrisë, ku iu bëri thirrje qytetarëve për tu bashkuar.
Hasimja nga podiumi shprehu se shqiptarëve i duhet fryma që para 3 dekadash rrëzoi diktaturën e Enver Hoxhës duke ju bërë thirrje qytetarëve për bashkim për të mbrojtur të drejtat e tyre.
“Ju falënderoj që sot doni edhe nga unë një fjalë. Të them dhe të kujtoj atë ditë historike të 20 shkurtit 1991, kur ne ishim të gjithë bashkëngjitur me grevën heroike të studentëve tanë. Luftuam kundër një ushtrie që nuk duhet harruar që ishte Partia Komuniste në krye. Të gjithë bashkë, hoqëm frikën dhe morëm guximin tonë sepse donim lirinë tonë. Dua të kujtoj atë frymë dhe të sjellim këtu sot, atë dëshirë për të jetuar bukur në Shqipërinë tonë të bukur dhe ta bëjmë për fëmijët tanë, për nipërit tanë, sepse duhet të kenë mundësinë për të jetuar këtu. Zoti ka bekuar Shqipërinë, por Zoti bekoftë edhe shqiptarët”, u shpreh aktorja Rajmonda Bulku.
Policia e Tiranës njofton se nuk e ka autorizuar Partinë Demokratike për protestën që ka njoftuar sot në orën 18:00 para Kryeministrisë. Sipas policisë bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.
12:12 Partia Demokratike bëhet gati për tubimin, ‘blindohet’ godina e Kryeministrisë
Edhe pse Policia e Tiranës njoftoi se nuk e ka autorizuar për zhvillimin e tubimit, Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për protestën që pritet të nisë sot në orën 18:00 para Kryeministrisë. Godina e Kryeministrisë ka nisur ndërkohë “blindimin”, në mënyrë që të mos cenohet nga protestuesit.
Top Channel