Komisioni Evropian gjobiti X për thyerje rregullash, platforma e Elon Musk i drejtohet gjykatës: Ndëshkim pa baza dhe pa hetim të mirëfilltë

20/02/2026 18:39

Platforma e mediave sociale X e Elon Musk njoftoi sot se ka paraqitur një ankesë në gjykatën më të lartë të Bashkimit Evropian kundër gjobës prej 120 milionë eurosh të vendosur ndaj saj nga Komisioni Evropian.

“Ky vendim i BE-së rezultoi nga një hetim i paplotë dhe sipërfaqësor”, tha ekipi i çështjeve qeveritare globale i X në një postim.

Komisioni Evropian vendosi gjobën në dhjetor, me pretendimin se platforma kishte shkelur rregullat e BE-së mbi përmbajtjen dixhitale dhe transparencën. Një zëdhënës i Komisionit i tha AFP se agjencia ishte në dijeni të ankesës dhe “është e gatshme të mbrojë vendimin e saj në gjykatë”.

Tre shkeljet

Sipas vendimit të Komisionit, X u shpall fajtor për tre shkelje:

Dizajn mashtrues të “shenjës blu të verifikimit”, pasi çdo përdorues mund ta merrte atë me pagesë pa ndonjë proces kuptimplotë verifikimi, duke i ekspozuar të tjerët ndaj rreziqeve të mashtrimit.

Mungesë transparence në depozitën e reklamave, me pengesa në akses dhe të dhëna të paplota.

Dështim për të siguruar akses në të dhënat publike për studiuesit, përmes ndalimeve të mbledhjes së të dhënave dhe kufizimeve shtesë.

Shuma e gjobës, sipas Komisionit, u përcaktua në bazë të seriozitetit dhe kohëzgjatjes së shkeljeve.

Komisionerja përgjegjëse, Henna Virkunen, kishte deklaruar: “Mashtrimi i përdoruesve dhe fshehja e informacionit nuk ka vend në BE. DSA rikthen besimin.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB