Çështja Vinicius-Prestianni, Real Madrid dërgon provat e tij te UEFA
Polemikat për fyerjet raciste të Gianluca Prestiannit dhe i gjithë publiku në Da Luz në drejtim të Vinicius në sfidën e parë të playoffit të Ligës së Kampioneve vazhdojnë. I fundit që iu është bashkuar këtyre polemikavë është Lilian Thuram.
Ish mbrojtësi i Juventusit dhe Barcelonës, pas mbylljes së karrierës së tij në futbollin e luajtur, ka qenë shumë aktiv në luftën kundër racizmit. Legjenda e futbollit francez ka komentuar ashpër atë çfarë ndodhi në Lisbonë duke e kapur në mënyrë të veçantë me një tjetër protagonist të kësaj historie.
‘Natyra e fjalëve të Mourinho tregon shumë se përse nuk po ecet përpara-tha Thuram-është një trajner i madh me një karrierë të jashtë zakonshme, ka punuar me shumë futbollistë me ngjyrë në jetën e tij dhe kjo nuk e pengon atë që fillimisht të vërë në dyshim të vërtetën e aktit racist dhe së dyti të ngrejë pikëpyetje mbi viktimën për mënyrën sesi festoi golin e tij. Por si mund të thuash diçka të tillë? Kush jeni ju, zoti Mourinho që i lejoni vetes të thoni se çfarë ka të drejtë Vinicius të bëjë apo të mos bëjë? Në këtë gjykim ka një ndjenjë superioriteti dhe narcisizmi të bardhë’
Më pas ish mbrojtësi tregon sesi i ka lexuar faktet.
‘Akti i racizmit,viktimë e të cilit është bërë Vinicius nuk ka lidhje me sjelljen, por me ngjyrën e tij të lëkurës-vijoi Thuram-mendoni se fëmijët viktima të akteve raciste në shkollë apo në futboll janë për sjelljen e tyre? Jo. Atëherë çfarë duhet të bëjnë? Që Vinicius dhe fëmijët të ndryshojnë ngjyrën e lëkurës për të luajtur? Mourinho sugjeron se mund të jetë në një farë mënyrë faji i Vinicius, që thellë-thellë e kërkoi. Është një dhunë totale. Kjo ndjenjë superioriteti që kanë disa persona të bardhë, i pengon ata që të vendosin veten në vend të viktimave. Duhet më shumë përulësi. Si është e mundur që të mos merret në konsideratë ajo që thonë futbollistët? Atëherë është kjo: Vinicius është i çmendur, shpiku një fyerje dhe shkoi te arbitri? Edhe Mbappe e dëgjoi, pra edhe ai është i çmendur? Njerëzit me ngjyrë janë të çmendur, kështu? Janë paranojakë dhe sajojnë histori…’
Dhe në fund Lilian Thuram theksoi: ‘Kur Mourinho kërkon që të na besojë se Vinicius është përgjegjës për racizmin që pëson, është diçka patetike. Më këtë analizë ai bëhet një njeri i vogël. Përsa kohë do të ketë sjellje të tilla, nuk do të jemi kurrë të bashkuar në luftën kundër racizmit. Edhe kjo është histori racizmi. Mourinho nuk analizon aktin racist si njeri, por si njeri i bardhë. Nuk jemi të detyruar të mendojmë përmes ngjyrës së lëkurës
Por çfarë kishte deklaruar Jose Mourinho që e ka zemëruar kaq shumë Lilian Thuram?
‘Kur kjo ndodh në shumë stadiume, gjithnjë me të njëjtin futbollist, ka diçka që nuk shkon dhe që nuk e kuptoj. Vinicius i thashë: ‘përse duhet të festosh kështu një gol? Nuk mund ta bësh në mënyrë normale, me lumturinë se je një futbollist i madh, siç bënin Di Stefano, Pele apo Eusebio?’ Benfica nuk është një klub racist. Legjenda jonë, Eusebio, është lojtar me ngjyrë. Prestianni më tha një gjë, Vinicius një gjë tjetër, për këtë arsye nuk dua të marr një pozicion përfundimtar
Top Channel