FSHF, Disiplina gjobit Tiranën, Partizanin e Vllazninë, sanksione dhe për zyrtarë dhe lojtarë klubesh
Lautaro Martinez në infermieri është një telash i madh për Interin që e ka komplikuar çështjen e kualifikimit në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve. Të luajë pa kapitenin është diçka që e kufizon një skuadër që këtë sezon e ka shndërruar potencialin ofensiv në armën më efikase të saj.
Për argjentinasin flasin shifrat; 14 gola dhe 4 asist në kampionat dhe 4 gola në Ligën e Kampioneve. Në këtë sezon, mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve Lautaro ka munguar vetëm në përballjen me Ajaxin që Interi gjithsesi e fitoi. Por nëse shohim të gjitha sezonet e sulmuesit me fanelën zikaltër, dalin të dhëna vërtet interesante
Lautaro Martinez në 8 sezonet e tij me Interin rezulton se ka humbur vetëm pak ndeshje. Sezonin e kaluar 7 ishin mungesat e tij, me 6 fitore të Interit dhe 1 barazim, dhe bëhet fjalë për barazimin 2-2 me Lazion që i hoqi skuadrës zikaltër mundësinë për të fituar titullin
Tjetër e dhënë interesante është se pa praninë e kapitenit në fushë në këto vite, Interi ka fituar shumë dhe ka humbur pak. Humbja e fundit ishte ajo e 31 marsit në 2019, edhe në këtë rast përballë Interit ka qenë Lazio që fitoi 1-0 në San Siro me golin e Milinkoviç Savic dhe në atë kohë në pankinën zikaltër ka qenë Spalletti. Ndërsa në Champions League, humbja e fundit pa Lautaro Martinez ka qenë në 28 nëntor të 2018 në fushën e Tottenham. Sigurisht Lautaro Martinez në sezonin e tij të parë me Interin nuk ishte futbollisti që është aktualisht. I sapotransferuar nga Argjentina, ai shfaqi pjesërisht cilësitë e tij dhe ai ishte edhe sezoni i mungesave më të mëdha, 14 në total, 11 në kampionat, 3 në Champions League. Në fillim nuk ishte as titullar fiks në skuadër. Por me kalimin e kohës luajti shumë dhe shënoi po kaq shumë duke fituar 2 tituj kampionë të Serie A dhe në 2 raste arriti në finalen e Ligës së Kampioneve. Tani i duhet të ndalet dhe një Lautaro Martinez në infermieri është një telash jo i vogël për Chivu, që gjithsesi në krahasim me paraardhësin e tij Simone Inzaghi ka alternativa të shkëlqyera, por edhe….statistikat.
Top Channel