106-vjetori i shpalljes së Tiranës kryeqytet u përkujtua në një mbrëmje gala në Pallatin e Kongreseve, organizuar nga Shoqata Tirana “Nderi i Kombit”, që vetë celebroi 35-vjetorin e krijimit.
Në fillim të mbrëmjes, u çel ekspozita me mbi 50 piktura nga artistët më të mirë tiranas, përfshirë dhe këtë krijim të piktorit të madh, Ibrahim Kodra, kuruar nga Adnand Deda.
“Kur kam shkuar të takoj piktorët e vjetër disa i kam parë të përlotur sepse ishte si zgjim, nxjerrje nga pluhuri i harresës. Kjo ekspozitë është një përpjekje për të vlerësuar ato vlera të Tiranës që i kanë dhënë tonin artit figurativ dhe historisë”, u shpreh Deda.
Mes pikturave që i dhanë ngjyra, kujtesë dhe identitet kësaj feste ishin tre krijime të reja të mjeshtrit të penelit, Naxhi Bakalli, ku tradicionalja ndërthuret me modernen.
“Ashtu si Tirana, e gjithë tradita shqiptare ka brenda saj kualitet të padeklaruara. Unë e kam shumë natyrore të jem në ngjizje në tradicionin tim dhe të përcjell ato dukuri sensacionale, ndjeshmëri kuptimore nëpërmjet figurës që ndërtoj”, u shpreh Bakalli.
Në 106-vjetorin e Tiranës kryeqytet, prefekti i sapoemëruar, Shkëlqim Hajdari tregoi projektet që do të ketë prioritet.
“Si prefekt i kryeqytetit, së bashku me Bashkinë e Tiranes dhe Shoqatën Tirana do t’i japim vëmendje të madhe historisë së Tiranës, pjesë e turizmit kulturor. Puna e parë është që ndërtesa e Toptanëve do të bëhet Muzeu Historik i Tiranës. Do të restaurojmë kalatë në periferitë e Tiranës. Do të rishikojmë disa ambiente dhe rrugë për t’u vënë emrat e personaliteteve të Shqipërisë“, tha Hajdari.
Mbrëmja kulmoi me Sofrën Tiranase me artistë si Irma Libohova, Merita Halili Valbona Mema, Josif Gjipali e Kastriot Tusha, që me shpirtin, talentin dhe dashurinë e tyre ngritën në këmbë mbi 2 mijë të pranishmit në sallën e Pallatit të Kongreseve.
Shoqata nderoi me titullin ‘Fisnikëria e Tiranës’ personalite me kontribut të shquar për kryeqytetin, Lulzim Braja, Sali Allmuça, Muharrem Gurra.
Për organizatorët, qyteti i kulturës artit dhe mikpritjes është një shtëpi e hapur që nuk mbyllet kurrë dhe evente të tilla na kujtojnë traditat shqiptare që kemi trashëguar brez pas brezi.
Top Channel