“Sport” zbulon vendimin e polakut për të vazhduar në kampionatin amerikan karrierën në MLS. Kontrata dyvjeçare dhe “jo”-ja për miliona nga Arabia Saudite.

Robert Lewandowski do të largohet nga Spanja dhe Barcelona verën e ardhshme dhe po shqyrton opsionet e tij, me skenarin më të mundshëm që është vazhdimi i karrierës së tij në ligën amerikane, pasi ai ka një ofertë të madhe për një kontratë dyvjeçare nga Chicago Fire. “Leva”, pavarësisht ofertave joshëse nga ekipet e Arabisë Saudite verën e kaluar, qëndroi në Spanjë dhe vendosi të luajë këtë sezon me fanellën e Barcelonës.

Ylli 37-vjeçar polak iu bashkua formacionit të ekipit të Barcelonës në verën e vitit 2022, pas një karriere të shkëlqyer në Gjermani me Dortmundin dhe Bayern Munich. Ai ka një kontratë deri në verën e ardhshme dhe mediat spanjolle këmbëngulin se sulmuesi i kombëtares polake do të largohet nga Barcelona në fund të sezonit.

Sipas gazetës sportive të Barcelonës “Sport”, sulmuesi i famshëm, me nxitjen e gruas së tij, ka vendosur t’u thotë jo ofertave joshëse të ekipeve në Ligën Profesionale Saudite dhe ka zgjedhur të vazhdojë karrierën e tij për dy vite të tjera në kampionatin amerikan.

“Leva” në sezonin e tij të parë shënoi 25 gola dhe nëntë asiste në 48 paraqitje, në të gjitha garat, dhe sezonin e kaluar vazhdoi edhe më mbresëlënës me 42 gola dhe tre asiste në 52 ndeshje në të gjitha garat. Këtë sezon ai ka 13 gola dhe tre asiste në 29 paraqitje, në të gjitha garat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB