Balona nga Bjellorusia mbyllin aeroportin e Vilniusit për 75 minuta, autoritetet lituaneze flasin për rrezik ndaj sigurisë ajrore

17/02/2026 22:33

Aeroporti ndërkombëtar në kryeqytetin e Lituanisë u mbyll për rreth 75 minuta pasditen e sotme, pasi në hapësirën ajrore u panë balona meteorologjike që hynin nga drejtimi i Bjellorusisë.

Sipas autoriteteve, objektet përbënin rrezik për sigurinë e fluturimeve. Qendra lituaneze e menaxhimit të krizave njoftoi rreth orës 20:30 për praninë e balonave në zonë, duke bërë që aeroporti të ndërpriste përkohësisht operacionet. Pas verifikimeve, aktiviteti u rikthye në normalitet.

Aeroporti, i vendosur rreth 30 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë, është mbyllur të paktën 11 herë për incidente të ngjashme që nga fillimi i tetorit.

Autoritetet lituaneze pretendojnë se balona të tilla dërgohen nga kontrabandistë nga Bjellorusia dhe kanë akuzuar presidentin Alexander Lukashenko se nuk ka ndërmarrë masa për ta ndalur këtë praktikë.

Top Channel