Atalanta e Berat Gjimshitit është mposhtur 2-0 nga Borussia Dortmund në Gjermani, në ndeshjen e parë të fazës “play-off” të Champions League.

Skuadra bergamaske nuk arriti të marrë një rezultat pozitiv në transfertë dhe tashmë do të kërkojë përmbysjen në takimin e kthimit në Bergamo. Gjermanët e nisën vrullshëm sfidën, duke kaluar në avantazh që në minutën e 3-të me anë të Guirassy, i cili shfrytëzoi një asist të Ryerson. Presioni i vendasve vazhdoi gjatë gjithë pjesës së parë, ndërsa Atalanta hasi vështirësi në ndërtimin e lojës dhe në daljen përpara.

Në minutën e 42-të erdhi edhe goli i dytë për Dortmundin, me Beier që dyfishoi shifrat pas një asisti nga Guirassy, duke i dërguar skuadrat në pushim me rezultatin 2-0. Në pjesën e dytë, Atalanta tentoi të reagojë dhe të rihapë takimin, por pa sukses konkret para portës.

Tashmë gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit që do të luhet javën e ardhshme në Bergamo, ku Atalanta do të synojë përmbysjen për të siguruar kualifikimin në turin tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB