Të paktën tre persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi një zjarr shpërtheu në një ndërtesë dykatëshe të përdorur si strehim për punëtorët pranë Budapestit të premten, thanë autoritetet hungareze.
Trupat e dy burrave dhe një gruaje u gjetën nën çatinë e ndërtesës së shembur, ndërsa ekipet e shpëtimit shpëtuan 27 të mbijetuar dhe hoqën tre bombola gazi nga ndërtesa.
Zjarri në lagjen Budakeszi, rreth tetë kilometra në perëndim të Budapestit, përfshiu ndërtesën dykatëshe në flakë në orët e para të mëngjesit, por u shua nga zjarrfikësit, sipas Drejtorisë Kombëtare të Hungarisë për Menaxhimin e Fatkeqësive.
“Më shumë se pesëdhjetë profesionistë dhe vullnetarë vendas mbërritën me automjete zjarrfikëse, ndërsa ndërtesa ishte përfshirë nga flakët. Zjarrfikësit menjëherë filluan të shuanin zjarrin për të parandaluar përhapjen e tij të mëtejshme”, tha Attila Csápi, zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikësve të Qarkut Pest.
“Sipas të dhënave paraprake, 15 persona pësuan lëndime të lehta, tre rëndë, katër janë në gjendje kritike në spital dhe tre persona humbën jetën si pasojë e zjarrit”, tha Andrea Belicza, zëdhënëse e Shtabit të Policisë së Qarkut Pest.
“Hetimet paraprake treguan gjithashtu se mund të ketë pasur ndoshta një furnizim i paligjshëm me gaz në ndërtesë”, shtoi Belicza. Të plagosurit u dërguan në tetë spitale në Budapest për trajtim të mëtejshëm.
Top Channel