I dashuruar me jetën që bën dhe i apasionuar me arkeologjinë, profesor Neritan Ceka, sot 85 vjeç, nuk ka ndërmend të ndalet dhe tregon projektet në të cilat do të fokusohet në vijim, nga puna në Parkun Arkeologjik të Bylisit te Parku i Lezhës, që sipas tij është lënë në hije.
“Besoj që nuk do të pushoj ndonjëherë, ky 85-vjetor më tregon se kam akoma punë derisa puna jonë gjen respektin e publikut shqiptar. Gjithmonë fokus mbetet Bylisi, kemi një projekt të unionit europian që do të fillojë të zbatohet këtë vit. Do t’i përkushtohem Selcës ku kam punuar në vitet 70′. Lezha mbetet një objektiv i pashkëputur për ta kthyer në një park dinjitoz arkeologjik, që ka mbetur në hije, ndërkohë që është park i identitetit tonë kombëtar. Kam shumë projekte dhe shumë pak vite përpara”, tha Ceka.
Ndonëse vlerëson se duhet të vlerësohet dhe investohet më shumë për arkeologjinë shqiptare, profesori shprehet optimist, duke marrë parasysh interesin në rritje të vizitave në site.
“Fakti që ka një popullaritet, fakti që sitet arkeologjike janë plot me njerëz, kjo na inkurajon dhe në jep detyrimin për të qenë gjithmonë pranë kësaj pune”, u shpreh Neritan Ceka.
Me rastin e 85-vjetorit të lindjes, në Akademinë e Shkencave u zhvillua një veprimtari jubilare në nder të punës dhe kontributit të tij, me praninë e familjarëve, miqve dhe kolegëve.
“Përfaqësues i spikatur i brezit të dytë të arkeologëve shqiptarë. Ka meritën që jo vetëm e lartësoi më tej arkeologjinë, por nderoi dhe rolin e arkeologjisë ndër disiplinat e tjera arkeologjike”, tha arkeologu, Adem Bunguri.
“Si qyteti që ti do ashtu të të bëhet edhe jeta jote”, i tha arkeologu Skënder Muçaj Cekës.
Me një qasje moderne, kritike dhe ndërdisiplinore ndaj shkencës së arkeologjisë, në gjashtë dekada karrierë, Neritan Ceka është shndërruar në një pikë referimi për arkeologjinë dhe historinë shqiptare. Këtë rrugëtim e nisi bashkë më të atin, arkeologun e njohur Hasan Ceka, ndërsa sot, vajza po ecën në gjurmët e tij në fushën e arkeologjisë.
Top Channel