“Loja e fundit”, një komedi për famën, perceptimin dhe rolet që na imponohen në epokën e çmendurisë online u shfaq premierë mbrëmjen e kaluar në kryeqytet.
“Është shumë e vështirë të jesh vetvetja në një botë si kjo e sotmja, duhet guxim t’i pranosh gjërat”, u shpreh Kiara Tito.
Protagonistët, çifti Kiara Tito dhe Luiz Ejlli që për herë të parë e gjetën veten së bashku në një sheshxhirim rrëfejnë emocionet dhe sfidat.
“Ishte jashtëzakonisht shumë e bukur, sepse merreshim vesh me sy. Skenat më të vështira ishin kur më thoshin bëj sikur e do shumë, i thosha ‘duke e dashur jam’”, u shpreh fituesi i Big Brother VIP Albania 2, Luiz Ejlli.
“Emocionet ishin shumë të mëdha, edhe kur e pashë tani Lunën te ekrani i madh ishte një kujtim që kur të jetë e rritur dhe ta shohë, do të jetë shumë entuziaste”, tha Tito.
“U surprizova shumë nga Kiara, nga metoda e saj e punës, nga përkushtimi dhe serioziteti. Nuk u surprizova shumë nga karakteri i Luizit, që është një uragan i vërtetë si gjithmonë. Besoj që ia dolën shumë mirë”, tha regjisori i filmit, Bjordi Mezini.
Luiz Ejlli rikthehet në skenë si këngëtar dhe bëhet i famshëm papritur, por për të ruajtur famën dhe për të fituar zemrën e Kiara Pipos, duhet të mbajë një gënjeshtër që i fut të dy në një varg situatash plot humor dhe kaos. Batuta dhe ironi që thumbojnë realitetin e shoqërisë
“Deri tani nuk i kam zhgënjyer, nëse edhe kjo do të dalë sikurse unë e mendoj, ju nuk e dini se çfarë ju pret pastaj”, u shpreh Luiz Ejlli.
“Ajo që ne përjetojmë sot është fama për motive të gabuara, fama që është si një fluskë sapunë që të çon shumë lart, por kur bie, bie në gjendje të lirë. Unë dua t’i kërkoj falje Akilit se ka ngrënë shumë shpulla”, u shpreh aktorja, Elona Hyseni.
“Ajo që unë synoj në këtë film është një e vërtetë e thjeshtë, pa u menuar kam vepruar në këtë fushë që ka një vend të rëndësishëm te unë”, kompozitori, Zhani Ciko.
“Shpresoj të qeshin sa më shumë, të mendojnë sa më shumë dhe ta shijojnë sa më shumë”, tha aktori Eglein Laknori.
“U kënaqa në xhirime, Luizi dhe Kiara janë fantastikë edhe pas kamerave”, u shpreh ish-banorja e Big Brother VIP Albania 4, Loredana Brati.
“Puna ishte gallatë në sheshxhirim, megjithëse aktorët kryesorë janë lodhur shumë”, tha Heidi Baci.
Disa njerëz ikin me vrap nga dashuria, disa vrapojnë drejt saj. Në dashuri kush nuk luan humbet. Pas premierës absolute, “Loja e fundit” nis transmetimin në qytete të tjera brenda dhe jashtë vendit.
“Do të vazhdojmë në shumë qytete, do të vazhdojmë edhe në botë. Do t’i takojmë të gjithë dashamirësit nga afër”, përfundoi moderatorja, Kiara Tito.
Top Channel