Kreditë e këqija zvogëlohen/ Sistemi bankar më i pastër në letra, por 35.9 mld lekë të dhëna me kredi mbeten risk

13/02/2026 15:16

Sistemi bankar shqiptar po shënon një rekord të ri, kreditë e këqija kanë rënë në 3.8%, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë një përmirësim të vazhdueshëm krahasuar me 4.1% një vit më parë dhe 4.7% në fund të 2023-shit.

Por përtej përqindjes, realiteti është më kompleks. Nga 943.5 miliardë lekë kredi gjithsej, rreth 35.9 miliardë lekë mbeten ende problematike. Kjo do të thotë se mijëra qytetarë dhe biznese vijojnë të kenë vështirësi në shlyerjen e detyrimeve.

Por rënia e treguesit nuk vjen vetëm nga përmirësimi i aftësisë paguesve, por edhe nga proceset e ristrukturimit, fshirjes apo transferimit të kredive me probleme jashtë bilanceve. Sistemi duket më i pastër, por jo domosdoshmërisht sepse të gjithë huamarrësit janë në gjendje më të mirë financiare.

Në të njëjtën kohë, bankat po rrisin fitimet ndjeshëm. Të ardhurat e sistemit bankar arritën në 97.6 miliardë lekë në fund të vitit 2025, nga 94.8 miliardë lekë një vit më parë.

Rritja mbështetet kryesisht tek interesat, në një periudhë kur kreditimi mbetet i kujdesshëm dhe normat nuk janë gjithmonë në favor të huamarrësve. Fitim i përftuar edhe nga rritja e kredive për biznese dhe individë dhe shtimit të depozitave.

Shifrat tregojnë një sistem bankar më të fortë dhe më fitimprurës, por situata nuk mbetet vetëm tek stabiliteti i bilanceve. Por nëse ky stabilitet do të lehtësojë barrën e huamarrësve dhe të nxisë më shumë financim për ekonominë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB