Thomas Tuchel firmos kontratën e re, trajner i Anglisë deri në vitin 2028
Nottingham Forest ka shkarkuar trajnerin Sean Dyche pas barazimit 0-0 ndaj Wolves, skuadrës së fundit në renditje.
Klubi njoftoi largimin e tij pak para orës 01:00 të mëngjesit, me pronarin Evangelos Marinakis që nuk humbi kohë për të marrë vendimin.
Në një deklaratë zyrtare, klubi bëri të ditur:
“Nottingham Forest Football Club konfirmon se Sean Dyche është liruar nga detyra si trajner i ekipit të parë. Dëshirojmë ta falënderojmë Sean dhe stafin e tij për përpjekjet gjatë kohës së tyre në klub dhe u urojmë suksese në të ardhmen. Nuk do të bëjmë komente të tjera në këtë moment.”
Forest, që aktualisht renditet në vendin e 17-të në Premier League, u vërshëllye nga tifozët në “City Ground” pas barazimit zhgënjyes ndaj një skuadre që ka fituar vetëm një ndeshje në elitë këtë sezon.
Megjithëse pika e fituar e çon ekipin tri pikë mbi West Ham-in e vendit të 18-të, ajo u konsiderua si një mundësi e humbur përballë një kundërshtari në krizë të thellë. Forma e dobët – vetëm dy fitore në dhjetë ndeshjet e fundit në kampionat – kishte shtuar presionin mbi trajnerin.
Dyche, 54 vjeç, kishte kontratë deri në vitin 2027, por qëndroi në detyrë vetëm 25 ndeshje dhe 114 ditë. Vetëm disa orë para shkarkimit, ai pranoi se nuk do të befasohej nëse klubi do të vendoste për një ndryshim.
“Nuk jam vënë kurrë në dyshim këtu. Pronari ka qenë i drejtë me mua, pa asnjë dyshim. Por nëse dikush zgjedh të bëjë ndryshime në futboll, kjo është vendimi i tyre,” tha Dyche.
Largimi i Dyche është i treti për këtë sezon te Nottingham Forest, pas atij të Nuno Espirito Santos dhe Ange Postecoglu.
Top Channel