“Po politizohet shërbimi i jashtëm”/ Spiropali i përgjigjet opozitës: Nuk do bëhet vetting, s’kemi qëllim të nxjerrim diplomatët jashtë sistemit (Batutat në komision)

09/02/2026 12:53

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, iu përgjigj sot kritikave të opozitës lidhur me ligjin e ri “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, që Qeveria ka dërguar në Parlament për t’u votuar.

Deputetët Oerd Bylykbashi dhe Saimir Korreshi kritikuan draftin e ekzekutivit, duke thënë se po përgatitet një vetting për diplomatët me qëllim që t’i hapet rrugë emërimeve politike për t’u futur në sistem.

“Pse duhet vetting total i gjithë shërbimit? Ata që vijnë nga jashtë shërbimit e kanë më të thjeshtë rritjen. Sa do ta rrisë ky vettingu i diplomatëve nevojën për të thithur nga jashtë? Mos po kërkojmë të fusim në kontroll politik një nga ishujt që me zor po i rezistojnë politizimit? Me këtë ligj unë shoh hapësirën për t’u politizuar. A është firmosur marrëveshja për Bordin e Paqes dhe kur?”, tha Bylykbashi.

Nga ana e saj, ministrja Spiropali tha se nuk bëhet fjalë për vetting, edhe pse ky proces i aplikuar në sistemin e drejtësisë është vlerësuar nga raportet ndërkombëtare.

“Nuk e di pse vettingu përmendet si problem serioz për drejtësinë, ndërkohë që nga të gjitha raportet për Shqipërinë vlerësohet. Këtu nuk kemi të bëjmë me vetting. Është e qartë edhe nga mënyra si është shprehur në ligj. Qëllimi nuk është që diplomatët të dalin jashtë sistemit, por do t’u jepet mundësi që, në bazë të një rivlerësimi, të kalojnë një fazë kualifikimi profesional. Do të ketë dy mundësi për rivlerësim. Nuk ka vetting. Kemi raste sot, mbi 15 vite punë në organizata ndërkombëtare prestigjioze dhe nuk hyjnë dot në shërbimin diplomatik”, tha Spiropali.

Debati

Bylykbashi: Pse duhet vetting total i gjithë shërbimit? Ata që vijnë nga jashtë shërbimit e kanë më të thjeshtë rritjen. Sa do ta rrisë ky vettingu i diplomatëve nevojën për të thithur nga jashtë? Ligji i vitit 2015 nuk ka kuotë për diplomatët që vijnë nga jashtë, e ka pasur ligji përpara. Ju e hoqët. Sa diplomatë që vijnë nga jashtë shërbimit të karrierës janë sot në shërbim? Gropa që do prodhojë vettingu, nevoja për të zëvendësuar vendet, mos e bëjnë qesharake atë që parashikohet në ligj “për rastet e veçanta”? Mos po kërkojmë të fusim në kontroll politik një nga ishujt që me zor po i rezistojnë politizimit? Me këtë ligj unë shoh hapësirën për t’u politizuar. A është firmosur marrëveshja për Bordin e Paqes dhe kur?

Spiropali: Nuk e di pse vettingu përmendet si problem serioz për drejtësinë, ndërkohë që nga të gjitha raportet për Shqipërinë vlerësohet. Këtu nuk kemi të bëjmë me vetting. Është e qartë edhe nga mënyra si është shprehur në ligj. Jo vetëm duhet, por është një domosdoshmëri. Edhe një nëpunës i thjeshtë duhet të ketë procese rivlerësimi që janë rutinore. Do të jetë proces cilësor, brenda kuadrit ligjor. Qëllimi nuk është që diplomatët të dalin jashtë sistemit, por do t’u jepet mundësi që, në bazë të një rivlerësimi, të kalojnë një fazë kualifikimi profesional. Do të ketë dy mundësi për rivlerësim. Ne e pamë të udhës të bëjmë një ligj të ri, që shfuqizon ligjet e 1998 dhe 2015, që nuk i përgjigjen më kohës dhe kështu edhe siguria juridike do të jetë më e madhe. Nuk ka vetting. Kemi raste sot, mbi 15 vite punë në organizata ndërkombëtare prestigjioze dhe nuk hyjnë dot në shërbimin diplomatik.

Korreshi: Ta nisim me akademinë. Te kjo akademia juaj do futet dhe kjo akademia e barinjve? Se edhe kjo kështu ka qenë… Çfarë nuk ka funksionuar te ky viti i 2015-ës? Se ne qëlluam demode me vitin e 1998. Mirë ne, por ju e sollët në 2015, çfarë ndryshoi?

Në relacion, pse nuk është ky ligj? Pse nuk e ka në realizim të qartë, apo të themi që Europa ka ikur shumë përpara. Cilët nga këto vende e kanë një ligj të tillë? Çfarë na cilësove akademinë. Dakord, nga akademia kalojmë te ligji, cili vend europian ka një praktikë të tillë?

Pyetja që bëjnë të gjithë, dhe po ta bëj edhe unë: a mund ta ketë perspektivën ky ligj për të bërë ndryshimin, siç keni bërë ju në imazh, si keni qenë në opozitë dhe tani? Pra, a do të kemi një ndryshim rrënjësor? A e bën ky ligj këtë ndryshim rrënjësor?

Spiropali: Zoti Korreshi, në përgjithësi krahasimet i ka bukolike, me fusha etj. Shumë mirë. Bëri edhe krahasimin e akademive. E prisja, në fakt, atë krahasim mes akademive, por secila akademi ka takatin dhe detyrat e veta, i nderuar kryetar. Kështu që këtu nuk duhet të ketë asnjë përzierje, përveç dëshirës për një ajër të pastër bukolik në këtë sallë.

Sa i takon Akademisë Diplomatike, edhe një herë: Akademia Diplomatike nuk është në nivelin që i duhet Shërbimit të Jashtëm, sepse është një sektor periferik në ministri. Besojmë që modelet që ne kemi marrë, meqë z. Korreshi kërkoi listimin, Lituani, Estoni, të gjitha vendet baltike që janë vende të ngjashme… Pra sot, të paktën në BE, nuk ka një shërbim të jashtëm që nuk ka një akademi diplomatike të këtyre përmasave dhe të këtij modeli. Ky është qëllimi.

Ky ligj nuk shfuqizon vetëm ligjin e vitit 2015 për shërbimin e jashtëm, por edhe ligjin për ushtrimin e funksioneve konsullore nga përfaqësitë diplomatike të vitit 1998. Ligji për konsullatat është i vitit 1998 dhe ne kemi parë të arsyeshme që në këtë ligj të bashkohen funksionet dhe t’i shfuqizojmë të dyja ligjet, duke hartuar një projektligj që rregullon më mirë fushën e kompetencave të shërbimit të jashtëm dhe marrëdhëniet me institucionet kushtetuese e vendore sa i takon marrëdhënieve me jashtë. Zgjeron hapësirat e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në fushën e marrëdhënieve me jashtë dhe rregullon në mënyrën më të qartë procesin e emërimit dhe përfundimit të mandatit të kreut të misionit diplomatik dhe postit konsullor, të personelit diplomatik dhe konsullor, forcon kriteret profesionale për rekrutimin e diplomatëve të karrierës bazuar në nivelet diplomatike, pra bën të kundërtën e asaj që u tha këtu. Për herë të parë fut si koncept ligjor jo vetëm krijimin e akademisë si institucion varësie, por përcakton më qartë përfshirjen në misionet diplomatike dhe postet konsullore të personave jashtë karrierës diplomatike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB