Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar burgim prej 180 vjetësh për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Në fjalën përfundimtare, kryeprokurorja e ZPS-së kërkoi dënim me burgim me nga 45 vjet për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Lidhur me këtë kërkesë të ZPS-së ka reaguar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo tha se krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës ka kryer Serbia kundër popullit të Kosovës.
“Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë”, ka shkruar Osmani.
Në nisjen e fazës përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se për pesë vjetë, “çlirimtarët rrëzuan akuzat një nga një”.
“Tashmë pritet që drejtësia ndërkombëtare, në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar, të marrë vendimin e saj përfundimtar. Ne besojmë në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, sepse besojmë në të vërtetën historike dhe në luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”, shkruan Hamza.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje thotë se kërkesa e Prokurorisë Speciale për dënime prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është një kërkesë neutrale drejtësie, por një ndërhyrje politike në regjistrin e kujtesës dhe të historisë.
“Këtu nuk po gjykohen individë të shkëputur nga konteksti, por po tentohet të gjykohet vetë akti i çlirimit. Ky është një proces që e zhvendos vëmendjen nga agresori te viktima dhe e paraqet rezistencën ndaj okupimit si krim, ndërsa okupimin si sfond të heshtur”, thuhet në reagim.
Shqipe Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit që po gjykohet në Hagë, thotë se “historia jonë nuk rishkruhet”.
Të hënën nisi faza përfundimtare e gjykimit, ku deri më 18 shkurt palët do të paraqesin fjalët përfundimtare të tyre.
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime të lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata mbahen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Top Channel