Provimet në Maqedoninë e Veriut do të bëhen edhe në shqip, ministrja Spiropali përshëndet nismën e ambasadorit Meidani
Kanë mbetur rreth dy muaj nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, por deri më tani nuk ka pasur bisedime ndërmjet subjekteve politike për këtë çështje.
Edhe pse dështimi për zgjedhjen e presidentit brenda afatit do të çonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje thotë se “nuk është urgjente”, raporton “Koha”.
Partia në pushtet, e cila ka 57 deputetë në Kuvend, thekson se aktualisht ka tri prioritete të tjera: konstituimin e Kuvendit, votimin e Qeverisë dhe miratimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë planin e rritjes së BE-së dhe marrëveshjet me Bankën Botërore. Sipas këtij subjekti, çështja e presidentit do të trajtohet më pas, brenda afateve kushtetuese.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur synimin për një mandat të dytë, por nga kabineti i saj nuk janë bërë të ditura veprimet konkrete për sigurimin e përkrahjes politike.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, nuk ka garantuar rizgjedhjen e saj, por ka ftuar publikisht opozitën për një marrëveshje, qoftë për Osmanin apo për një kandidat tjetër konsensual.
Sipas Kushtetutës, presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Vjosa Osmani është zgjedhur presidente më 5 prill 2021 dhe mandati i saj përfundon në prill të këtij viti, çka e bën procesin politik për zgjedhjen e presidentit një çështje me rëndësi të veçantë në javët në vijim.
Top Channel