Berisha i “turret” Kushtetueses: Janë të degraduar, të degjeneruar, turp për veten, familjen dhe kombin. S’kanë moral

05/02/2026 14:16

Shtyrja e vendimit për Belinda Ballukun ka bërë që Sali Berisha të nisë një sulm frontal më të fortë se kurrë ndaj trupës së gjyqtarëve kushtetues.

“Edi Rama ka bërë parzmore strofullën e fundit të plaçkitësve në Shqipëri, Gjykatën Kushtetuese. Imagjinoni një gjykatës që ikën si mi, nga seanca e gjykimit. Provojnë se janë të degraduar, të degjeneruar. Se nuk kanë nder, as dinjitet e as moral zyrtari. Se janë një turp për veten, për familjen e tyre, për një komb të tërë. Por e di se nuk pëson gjë, sepse është urdhëri i Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, siç është ai Ibrahimi. E di që nuk pëson gjë dhe ikën”, tha Sali Berisha.

Kupa është mbushur për Sali Berishën. Fjalën tashmë thotë se e kanë mbështetësit e tij, të cilët i ka thirrur në protestë më 10 shkurt.

“Edi Rama nuk do të pranojë kurrë të heqë imunitetin e Lubi Ballukut dhe kjo vetëm e vetëm se ai dorëzon në atë moment imunitetin e tij. Dhe ai është i gatshëm me çdo çmim ta mbrojë, se i takon të dergjet dhe kalbet burgjeve ndoshta edhe për 30–40 vite për aferat e tij korruptive, edhe më shumë. Imunitetin asaj dhe Edi Ramës do t’ua heqë populli shqiptar dhe vetëm shqiptarët. Dhe ju garantoj që do ta realizojë”, tha Berisha.

Sali Berisha po jep sinjale të ngujimit të protestës në shesh, duke paralajmëruar se revolta nuk ndalet pa u larguar Edi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB