Athletic Bilbao dhe Real Sociedad janë dy skuadrat e tjera që kualifikohen për në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit. Skuadra baske në çerekfinale iu imponua Valencias në Mestalla duke e mundur me rezultatin 2-1, një ndeshje që u vendos nga Inaki Williams në minutat shtesë.

Skuadra e drejtuar nga Ernesto Valverde mori avantazhin në këtë ndeshje falë autogolit të Umar Sadiq në minutën e 26. Por 9 minuta më vonë, Sadiq korrigjoi gabim duke shënuar në portën e duhur këtë radhë atë të Bilbaos për të barazuar shifrat 1-1 dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes. Në pjesën e dytë, Athletic Bilbao fitoi një 11 metërsh, por Jauregizar nuk u tregua i saktë nga pika e bardhë duke ia mohuar shansin skuadrës baske të marrë kryesimin. Kur u mendua se kjo ndeshje po i drejtohej kohës shtesë, Inaki Williams shënoi golin e fitores 2-1 të Bilbaos dhe njëkohësisht të kualifikimit në gjysmëfinale.

Ndërsa Real Sociedad eliminoi në çerekfinale Deportivo Alaves që e mundi me përmbysje në rezultat 3-2. Alaves e mori kryesimin në rezultat pas vetëm 8 minutash lojë me Rebbach, por Sociedad reagoi dhe në minutën e 15 barazoi shifrat me Mikel Oyarzabal. Gjithsesi Deportivo Alaves, 14 minuta më vonë mori sërish kryesimin në 2-1 me Toni Martinez nga pika e bardhë e penalltisë. Në minutën e 67, Deportivo Alaves kishte një tjetër penallti në dispozicion që mund të ndryshonte fatin e kësaj ndeshjeje, por këtë radhë Toni Martinez gaboi në gjuajtjen e tij. Pas këtij momenti gjerat ndryshuan sepse në minutën e 76 Real Sociedad barazoi shifrat në 2-2 me golin e Gonçalo Guedes, ndërsa në të 80 përmbysi gjithçka duke shënuar golin e fitores 3-2 dhe njëkohësisht të kualifikimit me Oskarsson. Kuadri i gjysmëfinaleve të Kupës së Mbretit do të plotësohet me ndeshjen mes Real Betis dhe Atletico Madrid që do të luhet në mbrëmjen e kësaj të enjteje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB