Deklarata e Shoqatës së Gjyqtarëve për pagat, përgjigjet Rama: E keni sa në Greqi, doni t’i rrisni me 2-3 mijë euro në muaj

04/02/2026 08:36

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve për pagat.

Në një lidhje direkte në rrjetet sociale, Rama shprehet se gjuha e përdorur nga Shoqata është e papranueshme dhe thotë se gjyqtarët e kanë pagën të barabartë me ata të Greqisë.

“Jam këtu në një komunikim të drejtpërdrejtë sepse jam i surprizuar nga një reagim i pabesueshëm i Shoqatës së Gjyqtarëve lidhur me shqetësimin e ngritur nga unë publikisht, për një përpjekje, në këndvështrimin tim, është e pajustifikueshme, është e papranueshme për t’iu imponuar Parlamentit dhe qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes, gjyqtar me gjyq. Këtë shqetësim publik e kam shprehur si palë, në emër të një pale. Një pale për të mbrojtur interesin e vetë, publik me gjykatë.

Është hera e dytë që ndodh që ka një habi shoqëruar me një përpjekje për të më mbyllur gojën, kur unë flas në emër të asaj që përfaqësoj, në emër të shqiptarëve në mbrojtje të një interesi për të cilin jemi në gjyq. Befas Shoqata e Gjyqtarëve shfaqet si një parti politike me një gjuhë të pajustifikueshme për ata që përfaqësojnë pushtetin gjyqësor. Jo një arbitër që thotë: ‘Bilbili është i imi, topi është i imi, penalltinë do e gjuaj vetë dhe porta të rrijë pa portier’.

Sot që flasim aktualisht, ju i keni pagat sa në Greqi dhe ju doni t’i rrisni me 2000-3000 euro në muaj, në emër të çfarë. Ju thoni në emër të ligjit dhe Kushtetutës? Është e pavërtetë”, tha ndër të tjera Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB