Opozita nuk është e shtypur por e konsumuar!
Nga Preç Zogaj*
Pas nismës së Presidentit Trump për ngritjen e Bordit të Paqes është folur e shkruar për rënien e Rendit Botëror të pas Luftës së Dytë Botërore dhe zëvendësimin e tij me një rend të ri.
Njëherësh është njoftuar fundi i epokës liberaldemokratike dhe është paralajmëruar një epokë tjetër për të cilën dihet vetëm një gjë: që demokratike nuk do të jetë!
Asgjë e re. E kemi sportin e shkollës sonë të mendimit zvogëlimin e botës në përmasat e vendit dhe zmadhimin e vendit në përmasat e botës. Se mos na e merr vesh njeri!
Paralajmërimi i Rendit të Ri Botëror është qëmtuar në rreshta dhe midis rreshtave të statutit të Bordit të Paqes. Cili është, si e ka emrin? Një botë unilaterale, pra një lloj SHBB-je (Shtetet e Bashkuara të Botës) nën drejtimin e Uashingtonit? Utopi pa asnjë shenjë mundësie në horizont.
Një botë multipolare e fuqive të mëdha me SHBA-në në krye si fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake? Ekziston tashmë prej dekadash.
Mbetet kuptimi i një SHBA-je autokratike, imperiale, e modelit putinist, që i trajton vendet aleate dhe ato të sferës së influencës si vasale të vetat. Gjë që nënkupton prishjen e BE-së, do të thotë shuarjen automatike të ëndrrës europiane të vendeve kandidate si Shqipëria.
Në fakt, ky mbetet të jetë “leximi” i nismës së Trump në disa mediume brenda dhe jashtë vendit. Lexim i cili i ka ardhur për shtat zotit Rama në një periudhë frustrimi të gjatë e të dyfishtë: nga mungesa përgjatë gjithë vitit e kontakteve personale me administratën e Presidentit Trump nga një anë; nga hetimet intensive të SPAK në paradhomat e pushtetit të tij nga ana tjetër.
Bojkotin amerikan po e vuante si enigmë. Hetimet e fundit të SPAK si një grishje dhe mbushje që po e shtynin të tradhtonte imazhin e kalorësit të drejtësisë së re.
Ftesa nominale e Trump për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes i erdhi si një dhuratë nga qielli, të cilën zoti Rama e përjetoi si një çlirim. A thua se kishte ajgëtuar ndonjë gjë të vërtetë në fantazmagoritë berishiste me “Ramaduro” për konsum të brendshëm.
Me sa duket, ftesën e pa si gurin që vret dy zogj: edhe izolimin nga SHBA-të, edhe koston e frenimit të drejtësisë. “Rendi i ri botëror” e zgjidhte si me magji dilemën e tij të madhe të muajve të fundit se çfarë do të humbte në BE duke iu kundërvënë drejtësisë. Zero humbje! Sepse BE do të prishet! Në “rendin e ri botëror” s’ka vend për të!
Vërtet? Le të provojmë të vëmë disa pika mbi “i”, siç na e merr mendja.
Shqipëria nuk mund të mos ftohej nga Trump në Bordin e Paqes.
Shqipëria nuk mund të mos e pranonte menjëherë ftesën, pavarësisht refuzimit deri sot të shumicës së vendeve europiane.
Vendet europiane e mirëkuptojnë devocionin plot mirënjohje të Shqipërisë dhe Kosovës ndaj një vendi që i ka bërë shtete në periudha kruciale të historisë së tyre.
Nëse do të shtrohej çështja për të zgjedhur, Shqipëria do të zgjidhte SHBA-të si garante të sigurisë së saj. Por nuk ka gjasa të vihet përpara alternativës ose me SHBA-të, ose me BE-në.
Sepse nuk do të ketë një SHBA putiniste, sado autoritar të jetë Presidenti i saj. Nuk e lejon struktura e shtetit të rrënjosur demokratik, nuk e lejojnë traditat, ligjet, liritë, zhvillimi, zgjedhjet, kufizimi i mandateve, gjykatat, federalizmi, kultura e pluralizmit, diversiteti si në asnjë vend tjetër të botës. Trump duhet të prishë Amerikën për të vendosur “rendin e ri”. Por nuk mundet, nuk e ka ndërmend, nuk ka kohë edhe po ta ketë ndërmend. Rrotacioni i pushtetit në SHBA korrigjon gabime, teprime, devijime. Këtu qëndron madhështia e tyre. Por themelet nuk preken.
Aleanca SHBA–BE mund të ketë modifikime, por s’ka gjasa të prishet.
BE nuk ka gjasa të prishet. Përkundrazi, në këtë periudhë fërkimesh e divergjencash të shpallura me administratën e Presidentit Trump, BE-ja, shtetet përbërëse, po gjejnë vetëbesimin dhe kohezionin e afirmimit si fuqi e madhe ekonomike që po bëhet edhe ushtarake.
Në çdo skenar, fuqitë e mesme demokratike të Europës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, shto Kanadanë, shto vendet e vogla anëtare të BE-së, pra e gjithë kjo konfederatë e madhe dhe e zhvilluar është më shumë se një superfuqi.
S’ka ndryshuar asgjë në rrafshin e marrëdhënieve tona me Brukselin. Shqipëria në BE vazhdon të jetë një projekt i Bashkimit Europian. E konfirmoi së fundi Ministri gjerman për Europën, Gunter Krichbaum, gjatë vizitës së tij në Tiranë javën e shkuar. Ia vlen të citojmë thelbin e qëndrimit të tij për këtë pikë:
“Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Këmbana bie për kë ka veshët. Çdo ndalesë apo kthim prapa na lë jashtë Europës. Kryeministri Rama e ka marrë mesazhin. Ai do të bënte një gabim të madh nëse do t’i bëhej pengesë drejtësisë. Do të humbte mbështetjen e shumicës në vend. Do të humbë SHBA-të dhe BE-në, që janë bashkë në mbështetjen e SPAK-ut dhe GJKKO-së. Nga loja me dy-tre karrige do të përfundonte pa asnjërën.
*Drejtor i MAPO
Top Channel