Fokus stabiliteti financiar, guvernatori Sejko pret drejtoreshën e re të AMF

29/01/2026 14:50

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim zyrtar me Drejtoreshën e re Ekzekutive të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Adela Xhemali.

Teksa e uroi Xhemalin për marrjen e detyrës së re, Guvernatori prezantoi zhvillimet kryesore të ekonomisë shqiptare, duke u ndalur në ecurinë e aktivitetit ekonomik, situatën financiare dhe perspektivën afatmesme. Ai informoi gjithashtu mbi masat e fundit rregullatore në fushën e mbikëqyrjes bankare, të ndërmarra me qëllim forcimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe rritjen e transparencës në marrëdhëniet ndërmjet institucioneve financiare dhe klientëve.

Palët diskutuan mbi ndërveprimin në rritje mes sektorit bankar dhe atij jobankar, si dhe mbi nevojën për koordinim më të ngushtë mbikëqyrës dhe shkëmbim informacioni, për të identifikuar dhe adresuar në kohë rreziqet potenciale për stabilitetin financiar.

Në kuadër të integrimit evropian, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me kapitujt përkatës të negociatave me Bashkimin Evropian. Takimi u mbyll me rikonfirmimin e gatishmërisë për vijimin e bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB