Skandal për falsifikim dokumentash; dorëhiqet i gjithë Komiteti Ekzekutiv i Federatës Malajziane të Futbollit

28/01/2026 13:26

I gjithë Komiteti Ekzekutiv i Federatës Malajziane të Futbollit ka dhënë dorëheqjen për një skandal që ka të bëjë me natyralizimin e 7 futbollistëve që kanë lindur jashtë dhe që solli edhe sanksione nga FIFA.

Të gjithë anëtarët e këtij Komiteti që u zgjodhën 11 muaj më parë për mandatin 2025-2029, dhanë dorëheqjen e menjëhershme pas një vendimi unanim dhe me vullnet të plotë me synimin për të mbrojtur kredibilitetin e Federatës

Dorëheqjet masive erdhën pas vendimit të FIFA në muajin shtator të vitit të kaluar për të gjobitur Federatën me rreth 450 mijë dollarë dhe pezulluar 7 fut bollistët për një vit pasi u verifikua se kishin paraqitur dokumenta false për të fituar natyralizimin. Futbollistët Facundo Garcés, Rodrigo Holgado, Imanol Machuca, João Figueiredo, Gabriel Palmero, Jon Irazabal dhe Héctor Hevel u sanksionuan edhe me gjobë individuale. Të 7 lojtarët janë nga Argjentina, Brazili, Holanda dhe Spanja dhe kanë luajtur me Malajzinë duke marrë pjesë edhe në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Azisë të 2027 kundër Vietnamit.

Funksionarët malajzianë kishin deklaruar se të gjithë futbollistët ishin konform rregullave të FIFA sepse secili prej tyre kishte një gjysh të lindur në Malajzi. Por FIFA  pohoi se hetuesit e saj kishin siguruar dokumentat nga vendet e origjinës së futbollistëve që kundërshtonin pohime të tilla. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB