E ardhmja e Luis Enrique, ‘Le Parisien’: Kanë nisur bisedimet për rinovimin

28/01/2026 12:28

Që nga 2023 kur u transferua në Francë, Luis Enrique bëri mjaftueshëm për të bindur Nasser Al Khelaifi. Titujt e fituar, sidomos e ëndërruara Liga e Kampioneve dhe personaliteti i trajnerit i mbushën me besim drejtuesit e klubit parizien që nga momenti i parë, ashtu siç bëri edhe vetë Luis Enrique që kishte deklaruar se shpresonte që të qëndronte për shumë vjet

Dhe duket se gjithçka po shkon në këtë drejtim. Në orët e fundit e përditshmja franceze ‘Le Parisien’ në mënyrë ekskluzive bën të ditur se tashmë kanë nisur bisedimet mes klubit dhe trajnerit. Objektivi është i qartë; rinovimi i kontratës së Luis Enriques. Kontrata aktuale e asturianit skadon në verën e vitit 2027 dhe ndonëse palët nuk e kanë me ngut, në Paris kërkojnë që të mbyllin këtë çështje përpara muajve të verës.

Paris Saint Germaini që kërkon të ndërtojë të ardhmen rreth trajnerit, e ka bërë rinovimin me të një prioritet absolut. Në klub, Luis Enrique tashmë 55 vjeç konsiderohet si trajneri më i mirë në botë dhe është pika e referimit të projektit sportiv dhe për këtë arsye drejtuesit e Paris Saint Germain duan që ta bindin me një projekt që edhe nëse nuk është i përjetshëm, i afrohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB