Shtetasit Eduart Mema dhe Edison Sinani janë vënë në pranga pasi tentuan të trafikonin drogë drejt Greqisë.

Sipas uniformave blu, të arrestuarit fshehën 34 kg kanabis në shasinë e automjetit.

Arrestimi tyre u krye në urën e fshatit Kardhiq, Gjirokastër, ndërsa droga ishte ndarë në 44 pako.

Njoftimi:

U kapën tek ura e fshatit Kardhiq, duke transportuar 44 pako me lëndë narkotike, të cilat i kishin fshehur te shasia e automjetit, me qëllim trafikimin në Greqi, arrestohen 2 shtetas.

Si rezultat i një pune të mirorganizuar hetimore dhe operacionale, të kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit Operacional dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, me qëllim goditjen e një tjetër tentative për të trafikuar në Greqi, sasi të madhe lënde narkotike Cannabis Sativa, u finalizua operacioni “Ura”.

Në kuadër të operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit Eduart Mema, 35 vjeç, banues në fshatin Blerimas, Delvinë dhe Edison Sinani, 37 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë.

Të dy u kapën në flagrancë, tek ura e fshatit Kardhiq, duke transportuar me automjet tip “Hyundai”, 44 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (me peshë totale 34 kilogramë e 5 gramë), dyshohet me qëllim trafikimin në Greqi.

Pakot ishin fshehur në një hapësirë të improvizuar, te shasia e automjetit.

Lënda narkotike u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin tip “Hyundai” dhe me 4 celularë të të arrestuarëve.

Strukturat e DVP Gjirokastër, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet proceduarale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB