Botërori i Futbollit nuk ka qenë ndonjëherë kaq shumë në rrezik dhe në këtë rast problemi është i gjithi politik; gjithnjë e më shumë vende evropiane po mendojnë të bojkotojnë kompeticionin e Amerikës Veriore pas zhvillimeve më të fundit në raportet me SHBA

Danezët e zemëruar-Në krye të kësaj proteste është padyshim Danimarka; pretendimet e vazhdueshme të Donald Trump mbi Groenlandën(një territor që i përket mbretërisë daneze) kanë shkaktuar zemërim në opinionin publik, aq sa në një sondazh të fundit të realizuar nga BT është regjistruar rezultati se 90% e publikut danez janë në favir të bojkotit të botërorit. Një sondazh i tillë rezulton se është bërë edhe në Suedi, ku prej kohësh një pjesë e mirë e konsumatorëve refuzojnë të blejnë produkte ‘Made in USA’ si përgjigje ndaj tarifave dhe pozicionit aspak të qartë të Trump në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës

Po në Gjermani?-Ai që e kishte ngritur këtë çështje, ishte zv/presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Oke Göttlich, që është njëkohësisht edhe presidenti i klubit të St.Paulit. Göttlich në një artikull të ‘Hamburger Morgenpost, ngriti pyetjen se nëse kishte ardhur momenti për të ndërmarrë ndonjë aksion të fortë. Fjalë që ishin në një linjë më kërkesën e bërë nga vetë tifozët e St.Paulit të cilët së fundmi i bënë edhe një apel FIFA që të njohë Federatën e Futbollit të Groenlandës; një gjest simbolik, por që mund të përfaqësojë një mjet diplomatik kundrejt pretendimeve amerikane. Nisma u mbështet edhe nga disa politikanë të CDU, por u frenua nga presidenti i DBF, Bernd Neuendorf, i cili në të kaluarën kishte mbështetur protestën e kombëtares gjermane në Katar për të drejtat e njeriut

Hyrja në SHBA-Për më tepër, janë edhe problemet e lidhur me sigurinë, duke nisur nga imazhet e ditëve të fundit të Minneapolis me 3000 agjentë të ICE që janë përfshirë në një operacion anti-emigrim i kërkuar nga Trump. Por jo vetëm kaq, ende nuk është e qartë sesi qeveria federale amerikane do të mund të menazhojë fluksin e tifozëve që do të vijnë nga çdo vend i botës për të ndjekur Botërorin. Në muajt e fundit, Ëashingtoni ka pezulluar e madje edhe i ka mohuar vizat turistike ndaj shtetasve të disa vendeve të ndryshme, mes të cilëve nga vende që janë kualifikuar për në Botëror. Është ky rasti i Iranit që është u tronditur nga protestat e mbytura nga represioni i dhunshëm i regjimit. Nuk është akoma e qartë se në çfarë mënyre do të aplikohet ‘FIFA pass’ i propozuar nga Infantino për të lehtësuar tifozët e çdo pasaporte me biletë të hyjnë në vend. Me fjalë të tjera; klima e rëndë ndërkombëtare, tensionet e brendshme në rritje në SHBA dhe të panjohurat në lidhje me dhënien e vizave turistike, rrezikojnë vërtet të kompromentojnë shpirtin e vëllazërisë dhe universalitetit që gjithnjë kanë qenë baza e botërorëve. Dhe që këtu ka lindur ideja e bojkotit që javë pas jave po merr gjithnjë e më shumë formë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB