Piktorja që synon arkitekturën: Kur krijoj, shpirti im ndihet i lirë

25/01/2026 16:47

Reina Ndreu është një vajzë maturante, që krahas studimeve zhvillon pasionin e saj për pikturën. Në përvjetorin e 18-të, vendosi të prezantohej për publikun me ekspozitën e saj të parë në ambientet e Qendrës Kulturore Tulla.

Për Reinën, piktura është forma më e bukur e shprehjes.

Kur pikturoj, vizatoj apo ushtroj çdo formë arti, shpirti im ndihet i lirë, ndihem sikur jam prezente në këtë botë”, shprehet Reina Ndreu, piktore.

Përmes këtyre krijimeve te realizuara gjatë gjashtë viteve të fundit, 18-vjeçarja ka hedhur në telaje përceptimin e saj mbi realitetin dhe ndjesitë e brendshme.

Më tej ajo shton “Unë e lakmoj stilin e realizmit dhe se si një piktor ka aftësinë t’i kopjojë gjërat në mënyrë reale dhe t’i bëjë sikur kanë jetë, por unë nuk e bëj dot këtë sepse mendoj që sado reale që të duket diçka, gjithmonë ka diçka që fshihet pas asaj. Jam munduar të bëj një lidhje midis realizmit me atë që unë ndjej”.

Me imagjinatën e saj, Reina prek fenomene sociale, duke reflektuar aktualitetin.

Kjo është një dorë që unë e kam krijuar prej argjilës dhe po të shikojmë te pjesa e pikturës, vajza është pa krahë dhe krahët janë në tokë. Tregon lodhjen e gruas sot. Këtu është dhe një burrë që po na shikon, që po na gjykon, sepse ne ndonjëherë i kalojmë limitet dhe nuk e vlerësojmë figurën e gruas”, thekson Ndreu.

Me vizatimet dhe pikturat, maturantja ka fituar aftësinë për të perceptuar hapësirën, ngjyrën dhe kompozimin dhe këto elemente synon t’i zhvillojë më tej në arkitekturë, një profesion që e sheh si kombinim të ndjeshmërisë artistike me strukturën.

Mendoj se është një vend ku unë mund të ndihem e lirë, të pëlqej atë çfarë bëj, por edhe të krijoj një atmosferë, sepse arkitektura nuk është thjeshtë një ndërtesë apo një strukturë, por ndikon në kiminë e mendjes dhe unë këtë gjë dua ta zhvilloj më shumë akoma në Shqipëri”, përfundon ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB