Për të paraprirë efektin boomerang të fluksit të turistëve vite më parë, qeveria i ndryshoi pritshmëritë e turizmit nga sasia në cilësi.
Dhe kështu rezulton edhe në raportet e INSTAT për 2025, teksa rritja e numrit të turistëve ishte e lehtë, ndërsa më e ulët se në vitin 2023.
Rreth 12.5 milionë të huaj e vizituan vendin një vit më parë, 6.6% më shumë se në 2024.
Me një gjeografi të përqendruar kryesisht nga rajoni dhe Evropa Jugore, Shqipërinë e vizituan më shumë shqiptarë të Kosovës, italianë, gjermanë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca etj. Ndërsa si qëllim kryesor kishin pushimet, nuk munguan as turistët tranzit, që e përdorin Shqipërinë për të udhëtuar drejt vendeve të tjera.
Pak më shumë turistë, por kjo nuk u përkthye rrjedhimisht në më shumë të ardhura.
Marketimet e forta në rrjetet sociale për Shqipërinë si një destinacion me larmishmëri bukurish natyrore, ushqime të mira, çmime të lira, sollën edhe tipologjinë e turistëve që na vizituan.
Operatorët turistikë e argumentojnë këtë me ndryshimin e tipologjisë së turistit në low cost, që gjatë vitit 2025 karakterizohej nga të rinj aventurierë, që pushonin duke shpenzuar sa më pak.
Rreth 12.4 milionë të huaj hynë në vend, por shqiptarët rritën daljet në 8.6 milionë gjatë gjithë vitit për pushime, udhëtime mjekësore e biznesi etj., drejt vendeve të BE-së dhe më tej.
Ekspertët parashikojnë se turizmi këtë vit nuk pret surpriza, por do të vazhdojë me një ecuri të njëjtë me vitin 2025.
Ndërsa si problem ngrenë të njëjtat kushte me të cilat u përballën të gjithë në verë: çmime të larta, mungesë uji, ndërprerje energjie, djegie mbeturinash në pikun e sezonit dhe një infrastrukturë rrugore të dëmtuar.
Pritshmëritë për një turizëm elitar janë shumë larg dhe shpresat e bizneseve mbeten te turistët low cost, të organizuar dhe individualë.
Top Channel