Tronditet Rumania, Luçesku në reanimacion në gjendje të rënduar shëndetësore…

23/01/2026 18:25

Rumania po kalon momente ankthi për gjendjen shëndetësore të trajnerit të kombëtares, Mircea Lucescu.

Sipas raportimeve nga mediet vendase, tekniku 80-vjeçar ndodhet i shtruar në një spital në Bukuresht, ku po mbahet nën vëzhgim të vazhdueshëm mjekësor, vetëm pak muaj përpara sfidave vendimtare të “play off”-it.

Problemet shëndetësore të Lucescu-t nisën gjatë periudhës së Krishtlindjeve, pas një gripi të rëndë që solli komplikacione në aspektin kardiak. Gjendja u bë më delikate për shkak të historikut të tij me zemrën dhe moshës së avancuar. Fillimisht, trajneri iu nënshtrua një kure intensive në kushte shtëpie, por mungesa e përmirësimit të ndjeshëm detyroi mjekët të vendosin shtrimin e tij në spital për kontrolle dhe trajtim më të specializuar.

Këto vështirësi fizike kanë ndikuar drejtpërdrejt në përgatitjet e kombëtares rumune. Pas rreth dy muajsh, Rumania do të përballet me Turqinë në gjysmëfinalen e “play off”-it për kualifikimin në Kupën e Botës 2026, një ndeshje me peshë të jashtëzakonshme. Për momentin, Lucescu është detyruar të tërhiqet nga ndjekja e drejtpërdrejtë e grumbullimeve dhe e ndeshjeve, duke ia deleguar detyrat stafit të tij teknik.

Megjithatë, vetë trajneri ka tentuar të qetësojë opinionin sportiv: “Temperatura më arriti në 39 gradë. Jam në spital nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe po ndjek terapinë e nevojshme. Shpresoj të rikuperohem sa më shpejt dhe, sipas mjekëve, të hënën pritet të dal nga spitali”. Në Rumani mbizotëron shpresa që Lucescu të rikthehet sa më shpejt në pankinë, në një moment kyç për ëndrrën botërore të përfaqësueses.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB