Tifozët e Manchester United po përgatitin një tjetër protestë të madhe kundër pronarëve të klubit.

Grupi i njohur i tifozëve “The 1958” ka njoftuar organizimin e një marshimi proteste kundër familjes Glazer dhe Sir Jim Ratcliffe, përpara ndeshjes së radhës në “Old Trafford”, ndaj Fulhamit, e planifikuar për 1 shkurt, në kuadër të javës së 24-t të Premier League-s. Sir Jim Ratcliffe u bë bashkëpronar i “Djajve të Kuq” në shkurt të vitit 2024, por në vend që të qetësonte tensionet, prania e tij ka shtuar kritikat. Grupi “1958” ka konfirmuar se këtë herë protesta do të drejtohet zyrtarisht edhe ndaj Ratcliffe, i cili, sipas tyre, ka zgjedhur të rreshtohet përkrah familjes Glazer.

Organizatorët presin një pjesëmarrje edhe më të madhe sesa protesta e majit të kaluar para ndeshjes me Arsenalin, ku marshuan pesë deri në gjashtë mijë tifozë, duke e cilësuar këtë si protestën më të madhe ndonjëherë kundër pronësisë së klubit. “Jim Ratcliffe zgjodhi të lidhet me Glazer-ët dhe, sipas mendimit tonë, po i ndihmon ata të qëndrojnë në pushtet. 21 vite borxhe, keqmenaxhim dhe lakmi financiare janë shumë. Mjaft është mjaft”, deklaroi një zëdhënës i grupit.

Ai shtoi se tifozët nuk do të jenë bashkëpunëtorë në këtë situatë, duke e akuzuar Ratcliffe për mungesë vizioni dhe duke theksuar se problemi nuk janë rezultatet sportive, por modeli i pronësisë. “Ne nuk mund të ecim përpara derisa ata të largohen”, përfundon deklarata, duke nënvizuar se pakënaqësia e tifozëve ka arritur kulmin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB