Luciano Spalletti ka folur hapur për merkaton e janarit dhe gjendjen e skuadrës së Juventusit, në prag të përballjes kundër Cagliarit.

Trajneri bardhezi ka theksuar se klubi ka qenë vazhdimisht aktiv në treg, që nga momenti i mbërritjes së tij në Torino, duke kërkuar profile të reja që mund t’i shtojnë skuadrës karakteristika të ndryshme.

“Merkatoja e janarit shërben pikërisht për të futur cilësi dhe veçori që nuk i ke në organikë. Për këtë arsye, që nga dita e parë që kam ardhur, ne kemi qenë gjithmonë në merkato. Prej dy muajsh po zbuloj vazhdimisht gjëra të reja nga lojtarët e mi dhe, me këtë vizion futbolli, gjithmonë hapen horizonte të reja”, është shprehur Spalletti.

Tekniku i Juventusit ka nënvizuar se skuadra mund të rritet ende dhe se risitë janë elementi më i rëndësishëm në këtë proces. “Jam i bindur se mund të përmirësohemi akoma. Gjëja më e rëndësishme janë këto risi që të ndihmojnë të evoluosh”, ka shtuar ai. Sa i përket merkatos, Spalletti ka pranuar se ekzistojnë disa boshllëqe që mund të plotësohen: “Ka një apo dy gjëra që mund të na mungojnë, por për këtë po mendon drejtori sportiv, i cili është një njeri serioz”.

Trajneri është ndalur edhe te disa lojtarë individualisht. Për Yildiz ka qenë i qartë: “Dua ta lë të qetë. Është shumë i fortë dhe po bën një punë të jashtëzakonshme, nuk dua t’i krijoj presion”. Ndërsa për të tjerët ka shtuar: “Kostic-in e shoh të motivuar, Cabal është kthyer në nivelet e tij. Kur lojtarët janë në formën e tyre më të mirë individuale, mund t’i aktivizosh kudo në fushë”. Juventusi vijon përgatitjet me fokus maksimal, ndërsa merkatoja mbetet një mundësi për të përforcuar më tej skuadrën në funksion të objektivave sezonalë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB