Spalletti analizon merkaton bardhezi: Ne jemi gjithmonë në vëzhgim, kërkojmë profile të veçanta lojtarësh
Radja Nainggolan vazhdon karrierën e tij në futbollin profesionist edhe në moshën 37-vjeçare.
Ish-mesfushori i njohur i Cagliarit, Romës dhe Interit ka gjetur një skuadër të re, duke u transferuar te Patro Eisden, klub që militon në Challenger Pro League, kategoria e dytë e futbollit belg. “Il Ninja” mbyll kështu aventurën me KSC Lokeren, ekip ku ishte transferuar në fillim të vitit 2025. Marrëveshja mes dy klubeve është arritur, duke i hapur rrugë Nainggolanit për një kapitull të ri në Limburg, ku Patro Eisden drejtohet nga trajneri Stijn Stijnen.
Drejtuesit e Lokerenit kanë shprehur keqardhjen për largimin e mesfushorit belg. Administratori i deleguar, Thomas Bernaert, dhe presidenti Hans Van Duysen kanë theksuar se klubi kishte dëshirë ta mbante lojtarin, por për respekt ndaj tij ka vendosur ta lejojë transferimin. Sipas tyre, Nainggolan ka pasur një ndikim shumë të rëndësishëm në një periudhë relativisht të shkurtër, duke kontribuar drejtpërdrejt në kualifikimin e skuadrës për “play-off”-in e ngjitjes në sezonin 2024-2025.
Një moment i paharrueshëm i aventurës së tij te Lokeren mbetet ndeshja debutuese, ku ai realizoi një gol olimpik, duke hyrë menjëherë në historinë e klubit dhe duke fituar zemrat e tifozëve.
Nga ana tjetër, Patro Eisden ka konfirmuar se Nainggolan ka firmosur një kontratë 18-mujore. Trajneri Stijnen e ka cilësuar ardhjen e ish-“Djallit të Kuq” si një përforcim të rëndësishëm, duke shprehur entuziazmin për eksperiencën dhe personalitetin që ai do të sjellë në skuadër.
Top Channel