Vora e përuron në mënyrën më të mirë të mundshme stadiumin e saj të rikonstruktuar teksa mori një fitore të rëndësishme ndaj Partizanit me rezultatin 1-0 në sfidën e javës së 19 të Kategorisë Superiore.

Në fakt për këtë ndeshje, ishte Partizani skuadra pritëse, por pas një marrëveshje mes dy klubeve u vendos që kjo sfidë të luhej pikërisht në këtë impiant të ri që u shndërrua në një ditë feste për Vorën që mori maksimumin nga kjo sfidë, 3 pikë me peshë për luftën për mbijetesë në elitën e futbollit shqiptar

Sfida ishte e luftuar, me Partizanin që u pa më kërkues me Të kuqtë që patën shansin e artë për të marrë kryesimin me një penallti në fundin e pjesës së parë, por Toma gaboi me gjuajtjen e tij nga pika e bardhë dhe skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me barazimin 0-0. Edhe në 45 minutat e dyta, Partizani u përpoq më shumë, por në minutën e 90, Vora e ndëshkoi duke shënuar me Dakën, një gol që fillimisht u anulua për pozicion jashtë loje, por pas verifikimit në sistemin VAR ai u konsiderua i rregullt. Në këtë ndeshje pati edhe momente tensioni, por ndeshja u mbyll me rezultatin 1-0 për Vorën që shkon në 22 pikë, ndërkohë që për Partizanin kjo ishte humbja e tretë radhazi.

Top Channel