Lufta e Izraelit në Gaza ul numrin e lindjeve me 41%, numër i lartë vdekjesh dhe abortesh

14/01/2026 19:04

Lufta e Izraelit në Gaza ka çuar në një rënie prej 41% të lindjeve dhe një numër të lartë vdekjesh të nënave, aborteve spontane, vdekshmërisë së të porsalindurve dhe lindjeve të parakohshme.

Raportet dokumentojnë se si lufta ka çuar në shifra të larta të vdekshmërisë së nënave dhe të të porsalindurve dhe lindjeve të detyruara në kushte të rrezikshme. Gjithashtu lufta ka çmontuar sistematikisht shërbimet shëndetësore, pasoja të “një qëllimi për të parandaluar lindjet midis palestinezëve, duke përmbushur kriteret ligjore të Konventës së Gjenocidit”, thanë studiuesit.

Midis janarit dhe qershorit të vitit që lamë pas, janë dokumentuar 2,600 aborte spontane, 220 vdekje të lidhura me shtatzëninë, 1,460 lindje të parakohshme, mbi 1,700 të porsalindur nën peshë dhe mbi 2,500 foshnje që kërkojnë kujdes intensiv.

Sistemi shëndetësor i Gazës është çmontuar sistematikisht që nga tetori i vitit 2023. Operacionet ushtarake izraelite kanë goditur vazhdimisht spitalet, ambulancat dhe stafin mjekësor.

Bombardimet e vazhdueshme kanë prerë linjat e furnizimit dhe kanë kufizuar lëvizjen midis objekteve, duke përshpejtuar kolapsin më të gjerë të shëndetit publik në territor. Izraeli pohon se Hamasi ka përdorur spitalet për të strehuar luftëtarët e tij, por pretendime të tilla nuk janë mbështetur nga prova të qarta.

OKB vlerëson se mbi 6,000 nëna u vranë në gjashtë muajt e parë të luftës, mesatarisht dy çdo orë, me numrin që vazhdon të rritet, ndërsa sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, rreth 150,000 gra shtatzëna dhe nëna që ushqejnë me gji janë zhvendosur me force. Muajt e parë të vitit 2025 panë vetëm 17,000 lindje të regjistruara, një rënie prej 41% nga e njëjta periudhë në vitin 2022.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB