Situata e zjarreve në vend/ 35 vatra të raportuara, 8 prej tyre vijojnë mbeten aktive. 533 forca në terren, helikopterë dhe dy avionë Air Tractor Pesë ditë pas ngjarjes tragjike të së martës, ku humbi jetën gjatë përmbytjeve në Durrës, familjarët e Astrit Hysenajt, 54 vjeç, kundërshtojnë pretendimet e Bashkisë së Durrësit se viktima kishte lënë punën herët për shkak të motit të keq dhe po kthehej në banesë në momentin kur u mor nga rrjedha e ujit dhe ra në kanal.
Sipas të afërmve, Astrit Hysenaj kishte shkuar në punë në orën 5:30 të mëngjesit, ashtu si çdo ditë, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.
“Daja u nis në punë në 5.30 si normalisht. Familja tentoi ta ndalojë për shkak të situatës, por ai shkoi. Shqetësimi ynë nisi pasi nuk u kthye në punë dhe bëmë denoncimin. Pamë nga kamerat se deri në 8.25 ka qenë duke punuar te mbikalimi i Plepave”, u shpreh mbesa e të ndjerit, Klodiana Bërsheni.
Familjarët theksojnë se deri në momentet e fundit të jetës, ai ka qenë në krye të detyrës dhe kërkojnë që çdo provë filmike pas asaj ore të bëhet publike.
“Deri në momentin e fundit të jetës ka qenë në krye të detyrës. Nëse diku ka ndonjë pamje filmike pas kësaj ore, le t’i vënë në dispozicion”, tha Osman Hysenaj, djali i xhaxhait të viktimës.
Sipas të afërmve, kanali ku Astrit Hysenaj u gjet pa jetë ndodhet pranë vendit ku ai është parë për herë të fundit.
“Kanali ku ka rënë është pranë vendit ku është parë për herë të fundit dhe rrjedha e ujit, kur të merr, të nxjerr aty ku u gjet. Nuk mund të përbaltet figura e tij duke thënë se nuk ka qenë në punë. Kërkojmë respekt për figurën e tij”, tha ndër të tjera mbesa e tij Klodiana
Pamjet filmike janë vënë në dispozicion të policisë për hetime të mëtejshme. Familjarët kërkojnë gjithashtu mbështetje ekonomike për familjen e viktimës, pasi Astrit Hysenaj ishte i vetmi që siguronte të ardhura. Në xhepin e tij, policia gjeti 10 mijë lekë të vjetra.
Të afërmit theksojnë se nuk fajësojnë askënd për ngjarjen e rëndë, por refuzojnë kategorikisht pretendimin se ai nuk ndodhej në punë në momentin e fatkeqësisë, duke e përshkruar Astrit Hysenajn si një njeri dhe punonjës korrekt e të përkushtuar ndaj detyrës.
Top Channel