Njëri prej astronautëve pati probleme të rënda shëndetësore, NASA lajmëron kthimin e menjëhershëm të ekuipazhit të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor në Tokë

10/01/2026 08:08

NASA njoftoi kthimin e nxituar të një ekuipazhi me katër anëtarë nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) pasi një problem shëndetësor i paspecifikuar i ndodhi njërit pres astronautëve, në një zhvillim që përshkruhet si i paprecedentë në ISS.

Sipas njoftimit, NASA dhe SpaceX planifikojnë të kthejnë ekuipazhin e misionit Crew-11 “jo më herët se ora 17:00 e së enjtes. Kapsula pritet të bjerë në brigjet e Kalifornisë afërsisht në orën 3:40 të mëngjesit të së premtes.

NASA kishte njoftuar të enjten se po shqyrtonte seriozisht mundësinë e përshpejtimit të kthimit të misionit për shkak të një problemi shëndetësor që përjetoi njëri prej astronautëve. Siç u tha, nuk ka precedent për një vendim të tillë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, ku ekuipazhet zakonisht qëndrojnë për gjashtë deri në tetë muaj.

Gjatë qëndrimit të tyre në ISS, astronautët kanë pajisje bazë mjekësore dhe furnizime farmaceutike për t’u përballur me emergjencat, megjithatë, natyra e këtij problemi u konsiderua e tillë që bëri të domosdoshme një kthim të hershëm në Tokë.

Misioni Crew-11 përbëhet nga astronautët amerikanë Zina Cardman dhe Mike Finke, astronauti japonez Kimiya Yui dhe kozmonauti rus Oleg Platonov. Ekuipazhi ka qenë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor që nga gushti dhe fillimisht ishte planifikuar të kthehej në shkurt.

NASA nuk ka dhënë ende detaje të mëtejshme mbi natyrën e çështjes mjekësore, por ka thënë se shëndeti dhe siguria e ekuipazhit është një përparësi absolute. Zhvillimet po monitorohen nga afër, pasi misioni shënon një moment të rrallë dhe kritik për funksionimin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB