Një shtetas shqiptar i dënuar me 6 vite burgim është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, pasi akuzohet për përfshirje në aktivitetin e paligjshëm të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale mes Drejtorisë së Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden në Gjermani, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua ekstradimi i shtetasit Sokol Ndreka, 51 vjeç.
Ndreka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vitin 2024, e ka dënuar me 6 vite burgim për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Sipas hetimeve, më datë 31 tetor 2022, në rrugën dytësore Tiranë–Durrës, u kapën në një automjet 15 shtetas të huaj, të cilët po transportoheshin në mënyrë të paligjshme. Nga verifikimet rezultoi se Sokol Ndreka ishte i përfshirë drejtpërdrejt në këtë aktivitet kriminal.
Falë bashkëpunimit ndërkombëtar mes strukturave të Interpolit, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij në Gjermani, duke u finalizuar më pas ekstradimi drejt vendit tonë për vuajtjen e dënimit.
Top Channel