Kevin De Bruyne ishte blerja e madhe e Napolit në merkaton e verës. Por pritshmërite rreth mesfushorit belg, shumë shpejt u përballën me problemet fizike të tij.

Mesfushori belg nuk luan që nga 25 tetori për shkak të një dëmtimi në bicepsin femoral në ndeshjen me Interin dhe nuk do të jetë në dispozicion të Antonio Contes deri në muajin mars.

Por tani me hapjen e merkatos së janarit, qëndrimi i tij në Itali mund të vihet në dyshim. Sipas të përditshmes italiane ‘Il Mattino’, Napoli mund të marrë në konsideratë shitjen e futbollistit nëse në drejtim të tij vijnë oferta konkrete nga Arabia Saudite, por edhe vetë De Bruyne duket se është gati të vlerësojë opsione të tjera për të ardhmen.

Klube të ndryshme nga kampionati arab e duan në radhët e tyre edhe pse i dëmtuar me De Bruyne që do të vazhdonte rikuperimin e tij në kuadër të Botërorit 2026. Do të jetë pikërisht ky kompeticion pika e referimit për vendimet e De Bruyne. Ai i këtij viti me shumë mundësi do të jetë botërori i fundit i belgut dhe për këtë arsye, mesfushori nuk dëshiron të sforcojë kthimin e tij në fushë, për të evituar cdo përsëritje të dëmtimit.

Për më tepër, tani që Conte ka gjetur ekuilibrin e duhur me skemën 3-4-2-1, belgu mund të hasë në vështirësi për t’u përshtatur. Gjithsesi, për momentin të gjitha këto janë hipoteza dhe supozime, por Kevin De Bruyne mund të vendosë të vijojë karrierën diku tjetër. Ndërkaq, pas fazës së parë të riaftësimit të kryer në Belgjikë, De Bruyne do të kthehet në Napoli pas një jave për të vijuar rikuperimin e tij

Top Channel

DIGITALB DIGITALB