Kupa e Afrikës/Shpërblime të papaguara, Nigeria kërcënon bojkotimin e ndeshjes çerekfinale me Algjerinë

07/01/2026 21:15

Sikur të mos mjaftonte çështja Osimhen…Kaosi te Nigeria, e kualifikuar për në çerekfinale të Kupës së Afrikës nuk po mund të shuhet. Futbollistët në fakt kanë kërcënuar se nuk do të zbresin në fushën e lojës në ndeshjen me Algjerinë, e vlefshme për çerekfinale të Kupës së Afrikës, nëse nuk marrin shpërblimin për të cilin kishin arritur marrëveshjen me drejtuesit e Federatës Nigeriane të Futbollit.

Skuadra e Nigerisë do të duhet të udhëtojë drejt Marakeshit këtë të enjte, por bëri të ditur se nuk do të largohet nga Fez ku është e grumbulluar nëse nuk do të plotësohet kërkesa e futbollistëve, me këta të fundit që duket se këtë të mërkure refuzuan të stërviten. 

Federata Nigeriane e Futbollit ka reputacionin si një organizëm që zhytet vazhdimisht në borxhe, ndërsa trajneri i skuadrës, Eric Chelle, ishte ankuar për pezullimin e pagesave përpara fillimit të Kupës së Afrikës. Kjo është greva e dytë e Nigerisë në 3 muaj. Gjatë pauzës së fundit të kombëtareve, në muajin nëntor të 2025, futbollistët bënë grevë përpara ndeshjes së playoff të Botërorit kundër Gabon, por në këtë rast çështja u zgjidh për 24 orë.

Me shumë mundësi edhe këtë radhë do të gjendet një zgjidhje dhe në fakt është e pamendueshme që protesta të arrijë deri në një bojkot të vërtetë të një ndeshjeje çerekfinale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB