Alketa Gashi sjell “Klithmat” e fëmijëve të gjymtuar nga serbët në Luftën e Kosovës

06/01/2026 15:24

Shkrimtarja Alketa Gashi Fazliu sjell në sipar të vitit të ri 2026 librin e ri me rrëfime tronditëse: “Klithma”.

Autorja mbetet konsistente e temave të rrëfimeve të viktimave në Luftën e Kosovës, duke sjellë dëshmi dhe prova të fuqishme dëshmimi të gjenocidit dhe masakrave shtetërore të Serbisë së Millosheviçit.

Më herët ajo tërhoqi vëmendjen e lexuesve masivë me librin me rrëfime të nënave të Kosovës, të cilat mbetën në dhimbjen e humbjes së bijve dhe bijave të tyre në luftën për çlirimin e Kosovës. Libri pararendës “Ato gdhendin dhimbjen” shënoi rekord leximesh dhe shitjesh në hapësirën shqiptare dhe më së shumti në diasporë.

Ndërsa libri i ri “Klithma” është një prurje unike pasi, sikundër paralajmëron autorja në një shënim njoftues për botimin e ri: “Klithma” është libri im i ri me klithmat dëshmuese të një Lufte që e harron vetëm autori dhe shkaktuesi i tyre, por e ka tatu të paheqshëm në shpirt një popull me martirë dhe lëndime! “Klithma” sjell rrëfimet në moshë të rritur të fëmijëve që u gjymtuan nga bombat dhe minat e një shteti shovinist. Te klithmat e librit “Klithma” ka dritë fjale dhe ndërgjegjeje të viktimave fëmijë që në moshën madhore duan një botë të bukur dhe me shpirt të njerëzishëm. Sa krenare jam për këta heronj që sot janë qytetarët e Kosovës sime!”

Libri i sapodalë i gazetares, poetes dhe më gjerë shkrimtares së njohur, njëherësh ikonë e moderimit në Radiotelevizionin Publik të Kosovës (RTK), bashkëshoqërohet me konsiderata të posaçme nga akademik Pëllumb Xhufi, poetja dhe heroina e famshme Dr. Flora Brovina, profesori dhe shkrimtari Bajram Kosumi dhe gazetarja e njohur Ilva Tare. Libri “Klithma” sjell tetë tregime nga personazhe tashmë të rritur që rrëfejnë autentikisht gjymtimin e tyre në fëmijëri dhe mituri, të sakatuar prej bombave dhe minave të ushtrisë gjakatare serbe në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB