LIVE/ Maduro dhe gruaja e tij burgosen në New York, Trump kërcënon pasardhësen Rodriguez. Reagime nga e gjithë Bota

04/01/2026 22:55

Presidenti Nicolas Maduro dhe gruaja e tij, Zonja e Parë Cilia Flores, po mbahen në një qendër paraburgimi në New York pas kapjes së tyre në sulmet ajrore amerikane ndaj Venezuelës të shtunën.

Ata u dërguan nga kryeqyteti Karakas në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan në Brooklyn për t’u përballur me akuza të lidhura me trafikimin e drogës. Maduro ka mohuar të jetë udhëheqësi i një karteli droge.

Venezuela ndërkohë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe denoncon atë që e quan “agresionin ushtarak”.

Presidenti Donald Trump thotë se SHBA-të do ta “drejtojnë” Venezuelën “deri në kohën kur të mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të mençur”. Kompanitë amerikane të naftës do të riparojnë gjithashtu “infrastrukturën e prishur” të Venezuelës, thotë Trump.

Venezuelianët në mbarë botën kanë festuar pasi qeveria amerikane kapi dhe rrëzoi presidentin autoritar, Nicolás Maduro . Gjatë viteve të fundit, miliona venezuelianë janë larguar nga vendi, të dëbuar nga një përzierje e mungesave të përhapura dhe represionit të fortë politik.

Pasi dëgjuan lajmin e sulmit amerikan, turma njerëzish u mblodhën në vende si Argjentina, Kili dhe Kolumbia, për të valëvitur flamuj, për të kënduar këngë dhe për të kërcyer në shenjë gëzimi, ndërsa të tjerë u mblodhën për të dënuar sulmet e qeverisë amerikane ndaj Venezuelës dhe shprehën kundërshtimin ndaj veprimeve ushtarake.

22:46 “Largimi i Maduros nga skena politike”, Meloni në bisedë telefonike me udhëheqësen e opozitës venezueliane: U diskutua për të ardhmen e vendit

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilloi sonte një bisedë telefonike me udhëheqësen e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado.

Biseda, siç thuhet në një deklaratë nga qeveria italiane, “kishte si temë perspektivat për një tranzicion paqësor dhe demokratik në Venezuelë”.

22:29 Arrestimi i Maduros, reagon Kaja Kallas: Respektoni vullnetin e popullit, vetëm kështu Venezuela do e rikthejë demokracinë

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për “qetësi dhe vetëpërmbajtje nga të gjithë aktorët”, për të shmangur përshkallëzimin e situatës pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në Venezuelë. Në një deklaratë të re të përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, e cila është nënshkruar nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përveç Hungarisë, theksohet se “e drejta e popullit venezuelian për të përcaktuar të ardhmen e tij duhet të respektohet”.

22:18 “Tranzicion, demokraci dhe liri”/ Të mbështjellë me flamuj venezuelianë, mijëra njerëz protestojë në mbarë botën: Të lirohen…

Më shumë mbështetës të opozitës janë mbledhur në qytete anembanë botës për të kërkuar që Edmundo González të marrë presidencën dhe që të gjithë të burgosurit politikë të lirohen. Opozita, e udhëhequr nga María Corina Machado, bëri sot thirrje për mobilizime globale, duke u bashkuar rreth kërkesës për “tranzicion, demokraci dhe liri”. Demonstrata janë zhvilluar në mbarë Evropën dhe Amerikën Latine, përfshirë qytete si Santiago, Lille, Madeira dhe Mynih.

21:39 “Operacion i ekzekutuar në mënyrë të përsosur”, Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së: Kapja e Maduros kërkoi muaj të tërë koordinimi

Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi ka deklaruar se operacioni për kapjen e Maduros kërkoi muaj koordinimi, planifikim të detajuar dhe ekzekutim të pandërprerë në të gjithë komponentët e qeverisë federale. “Ky ishte një operacion i ekzekutuar në mënyrë të përsosur me bashkëpunim dhe besim intensiv midis ekipit të Presidentit Trump”, tha ajo.

21:25 E shqetësuar për regjimin e destabilizuar të Venezuelës, Kolumbia vendos ushtrinë e saj në kufi

Në zonën kufitare mes Kolumbisë dhe Venezuelës, qeveria kolumbiane i ka shndërruar shqetësimet për një regjim të destabilizuar në masa konkrete ushtarake. Autoritetet kanë forcuar praninë e trupave, të shqetësuara pjesërisht nga aktiviteti në rritje i grupeve rebele të krahut të majtë, të cilat lëvizin lirshëm përgjatë kufirit.

21:13 “Precedent i rrezikshëm për paqen”/ Brazili, Meksika e Spanja dalin kundër veprimeve të SHBA-së në Venezuelë: Bien ndesh parimeve të Kartës së OKB-së

Qeveritë e Brazilit, Kilit, Kolumbisë, Meksikës, Uruguait dhe Spanjës kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke riafirmuar angazhimin e tyre ndaj parimeve të Kartës së OKB-së. “Shprehim shqetësimin tonë të thellë dhe refuzimin e veprimeve ushtarake të kryera në mënyrë të njëanshme në territorin e Venezuelës, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht ndalimin e përdorimit dhe kërcënimit me forcë, si dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve, të sanksionuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

20:05 Maduro dhe gruaja e tij të burgosur në New York, zbulohet data se kur do të dalin para gjykatës

Presidenti venezuelian Nicolás Maduro dhe gruaja e tij Cilia Flores do të paraqiten në gjykatën federale të Manhattanit të hënën.
Sipas informacioneve paraprake të deklaruara nga një zëdhënës i gjykatës, ata priten të dalin para gjyqtarëve rreth orës 12 sipas kohës lokale. “Ata do të dalin para gjykatës të hënën. Seanca dëgjimore është caktuar për në orën 12:00 sipas kohës lokale”, deklaroi ai.

19:35 “Do të përballet me pasoja të rënda”/ Trump kërcënon Rodriguez: Nëse nuk bën gjënë e duhur, e pret një çmim më i lartë se ai i Maduros

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar deklarata të forta ndaj drejtuesve të Venezuelës, duke kërcënuar drejtpërdrejt presidenten e përkohshme të vendit, Delcy Rodríguez. Në një intervistë për median amerikane The Atlantic, Trump u shpreh se nëse Rodríguez nuk “bën atë që është e drejtë”, ajo do të përballet me pasoja të rënda.

18:52 “25 milionë dollarë shpërblim për informacione mbi zyrtarët venezuelian”, deklarata e Rubios: Është shumë e thjeshtë, nuk mund të…

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio është pyetur pse SHBA-të nuk arrestuan anëtarë të tjerë të regjimit të Maduros.
Qeveria amerikane ka ofruar një shpërblim deri në 25 milionë dollarë për informacion që çon në arrestimin ose dënimin e ministrit të Brendshëm, Diosdado Cabello, dhe 15 milionë dollarë për ministrin e Mbrojtjes, Vladimir Padrino.

18:18 “Kjo gjë mund t’i ndodhë çdo shteti”/ Ministri i Mbrojtjes së Venezuelës thirrje qytetarëve: Rifilloni jetën normalisht

Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve t’i kthehen jetës normale. “Çfarë po i ndodh sot Venezuelës mund t’i ndodhë çdo shteti apo qeverie”, deklaron ministri venezuelian i Mbrojtjes, Vladimir Padrino. Ai u bën thirrje qytetarëve në Venezuelë që të “rifillojnë aktivitetet e tyre normale” në punë, tregti dhe arsim.

17:54 Mori detyrën si presidente e përkohshme Venezuelës pas arrestimit të Maduros, çfarë po ndodh me pushtetin e Delcy Rodríguez?

Presidentja e përkohshme Delcy Rodríguez ka marrë përsipër rolin e Maduros, me mbështetjen e të gjitha institucioneve gjyqësore dhe politike. Rodríguez dhe vëllai i saj, Jorge, tashmë kreu i Kongresit, kanë qenë figura në rritje që prej marrjes së detyrës nga Maduro në vitin 2013. Ndërkohë, është edhe Diosdado Cabello, ish-kapiten ushtrie dhe i afërt me të ndjerin Hugo Chávez, i cili ka mbetur një ndërmjetës kyç mes pushtetit ushtarak dhe atij biznesor.

15:55 Arrestimi i Maduros tremb Vuçiçin: U përmbys rendi botëror. Kërcënim për sigurinë e Serbisë është Prishtina, Tirana, Zagrebi…

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, thirri një mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare, për shkak të atyre që ika cilësuar si “krime të papara në skenën politike ndërkombëtare”. Pas përfundimit të mbledhjes së mbajtur në ndërtesën e Presidencës së Serbisë, Vuçiç deklaroi se në rend dite kanë qenë tri tema kryesore: siguria ushtarake dhe politike rajonale, siguria energjetike dhe aksioni amerikan në territorin e Venezuelës.

15:14 Video/ Maduro me pranga në duar dhe i qetë, uron agjentët amerikanë: Gëzuar…

Pas aksionit blic që çoi në arrestimin e tij, presidenti venezuelian Nicolas Maduro mbërriti në Nju Jork i shoqëruar nga ushtarët amerikanë. Në një video të publikuar në rrjete sociale nga CNN udhëheqësi venezuelian shihet me pranga dhe me një shishe uji në duar, i rrethuar nga agjentët amerikanë. Teksa ecën në ambientet e DEA-s, Maduro me qetësi iu uron të pranishmëve Vitin e Ri.

15:08 Si reagoi Ballkani Perëndimor ndaj sulmit të SHBA-së në Venezuelë?

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shprehur reagime të përziera për sulmin e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë të shtunën, i cili i parapriu kapjes së udhëheqësit venezuelas, Nicolas Maduro, dhe dërgimit të tij në paraburgim në Nju Jork. Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se Shtetet e Bashkuara do ta “qeverisin” Venezuelën deri në “kalimin e duhur të pushtetit” dhe do t’i shfrytëzojnë rezervat e saj të mëdha të naftës, pas rrëzimit të Maduros.

14:51 100 mijë dollarë për çdo dërgesë kokaine/ Si u përfshi Zonja e Parë e Venezuelës në trafikun e drogës dhe politikë

Ajo është një nga figurat më të fuqishme dhe më të errëta të regjimit venezuelian. Cilia Flores, bashkëshortja e Nicolas Maduro-s dhe e njohur nga presidenti si “luftëtarja e parë” e Venezuelës, akuzohet nga prokurorët amerikanë si pjesë kyçe e një rrjeti shtetëror që garantonte mbrojtje për trafikun ndërkombëtar të drogës, kundrejt pagesave marramendëse.

14:47 Të vërtetat dhe mitet e Venezuelës: Sa i pasur është në të vërtetë shteti amerikano latin dhe sa të varfër janë qytetarët e tij?

Nga rënia e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB-së) dhe inflacioni prej 686% te kuzhinat e të varfërve dhe 7.8 milionë refugjatë. Si u zhyt në varfëri vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë, ndërsa elita e regjimit jetonte në luks. “Venezuela është një vend shumë i pasur, por banorët e saj janë të varfër.” Një klishe e të paktën 12-13 viteve të fundit, e cila shoqëron shumë shpesh çdo referencë për vendin e shumëvuajtur të Amerikës së Jugut. Megjithatë, nuk është tamam kështu.

14:35 SHBA ka goditur pesë liderë/ Nga Sadam Husein te Noriega, kush janë krerët e shteteve që u ndëshkuan

Operacioni ushtarak amerikan i koduar “Maduro Out”, që çoi në arrestimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij, Silia Flores, ka rikthyer në vëmendje një praktikë të rrallë, por jo të panjohur: kapjen e krerëve të shteteve të huaja drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara. Rasti i Venezuelës nuk është i vetmi në histori, pasi të paktën katër liderë të tjerë janë ndaluar ose larguar me forcë nga pushteti përmes operacioneve amerikane jashtë territorit të SHBA-së.
14:29 Prapa skenave të operacionit amerikan në Venezuelë/ Droni “Bisha e Kandaharit”, spekulime për “tradhti” brenda regjimit të Maduros

Një operacion i koduar “Vendosmëria Absolute”, që sipas burimeve ndërkombëtare kombinoi forcën ushtarake, forcat speciale, inteligjencën dhe negociatat prapa skenave, ka tronditur Venezuelën dhe marrëdhëniet me SHBA-të. Aksioni përfundoi me kapjen e Nicolas Maduros, i cili u shfaq si i burgosur, i prangosur dhe me sy të lidhur, deri në transferimin e tij në Nju Jork.

14:03 “Imperializëm i zhveshur”, si ndërhyrja e Trump në Venezuelë është një kthim në formë për SHBA-në
Bombardimi amerikan i Venezuelës dhe kapja e presidentit Nicolás Maduro shënojnë një moment të paprecedentë në historinë moderne të Amerikës Latine, duke qenë sulmi i parë i drejtpërdrejtë ushtarak i Shteteve të Bashkuara ndaj një vendi të Amerikës së Jugut. Presidenti Donald Trump, në një konferencë për shtyp pas operacionit, deklaroi se “dominimi amerikan në hemisferën perëndimore nuk do të vihet kurrë më në dyshim”, duke e paraqitur ndërhyrjen si një demonstrim force dhe rikthim të ndikimit amerikan në rajon.

14:02 Aksioni blic i SHBA-së që çoi në arrestimin e Maduros, amerikanët përdorën sulme kibernetike për të ndërprerë energjinë elektrike në Karakas

Presidenti amerikan Donald Trump tha dje se SHBA-të përdorën sulme kibernetike ose aftësi të tjera teknike për të ndërprerë furnizimin me energji elektrike të Karakasit gjatë sulmeve në kryeqytetin e Venezuelës që çuan në kapjen e Nicolas Maduros. Operacione të tilla zakonisht janë sekret dhe SHBA-të konsiderohen si një nga vendet më të përparuara në botë në operacionet kibernetike.

13:55 Maduro u kap për 46 sekonda, tentoi të fshihej dhe e la gruan në shtrat, operacioni filloi që në verë

Operacioni, i pagëzuar “Maduro Out”, kishte nisur të përgatitej që verën e kaluar, kur Donald Trump autorizoi CIA-n të kryente operacione të fshehta në Venezuelë. Objektivi ishte i qartë: ndjekja hap pas hapi e udhëheqësit venezuelian, studimi i rrethit të tij të sigurisë dhe identifikimi i pikave të dobëta në aparatin ushtarak dhe mbrojtës të regjimit.

13:50 Analiza/ Si e interpreton Kina lëvizjen arrestimin e Maduros nga SHBA-të

Ky ndryshim nuk kalon pa u vënë re nga Pekini. Përkundrazi. Kina e lexon qëndrimin e ri të Uashingtonit jo si një kërcënim, por si një precedent. Nëse SHBA-të rivendosin logjikën e sferave të ndikimit, atëherë hapet rruga për “interpretime” përkatëse nga fuqi të tjera të mëdha, fuqi të sotme, fuqi që Trump i ka vënë qartë në kornizë dhe që kanë mjetet dhe mënyrën për t’u përballur me SHBA-në në fronte të shumëfishta dhe shumëpalëshe.

13:46 “Nuk ka të bëjë me drogën, por me naftën”, Kongresmenia demokrate sulmon Trumpin për arrestimin e Maduros

Përfaqësuesja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez mbajti një qëndrim ndaj arrestimit të Nicolas Maduros dhe gruas së tij nga forcat amerikane në Venezuelë, duke sulmuar Donald Trumpin, duke e quajtur atë një “shpërqendrim”. Në një postim, politikania dhe aktivistja shkroi: “Nuk u bë për drogën. Nëse kjo do të ishte arsyeja, Trump nuk do ta kishte falur një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë. Është bërë për naftë dhe ndryshim regjimi. Dhe ata kanë nevojë për një gjyq tani për të pretenduar se nuk është kështu. Sidomos si një shpërqendrim nga çështja Epstein dhe kostot shumë të larta shëndetësore.”

13:04 Pse Maduro u lidh me gruan e tij për njëzet vjet para se të martohej fshehurazi

Për dy dekada, udhëheqësi i rrëzuar i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe Cilia Flores, e paraqitën veten si një çift i fuqishëm politik, shumë të përqendruar në idealet e tyre revolucionare pa u shqetësuar të martoheshin. Shumë veta në elitën e majtë të shtetit socialist e konsiderojnë martesën si një shpërqendrim “borgjez”. Kështu që erdhi si surprizë në vitin 2013 kur diktatori njoftoi se ai dhe Flores kishin zyrtarizuar fshehurazi bashkimin e tyre në një “event të vogël familjar” pas më shumë se 20 vitesh së bashku. Por larg të qenit një gjest romantik, dasma ishte një tjetër veprim politik i llogaritur, i projektuar për t’i dhënë Flores një pozicion shumë më të madh sesa thjesht ai i një gruaje.

12:49 Koreja e Veriut dënon kapjen e Maduros nga SHBA: Cenim serioz i sovranitetit

Koreja e Veriut ka dënuar kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar atë si një “cenim serioz të sovranitetit”. Në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore KCNA, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut tha se Pheniani “denoncon fuqishëm aktin hegjemonist të SHBA-së të kryer në Venezuelë”. Sipas tij, “incidenti është një tjetër shembull që konfirmon qartë edhe një herë natyrën e egër dhe brutale të SHBA-së”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB