Me lahutë në dorë që 10 vjeç, mjeshtri ua mëson profesionin më të rinjve: Të trashëgojmë traditën

03/01/2026 12:41

Pjetër Nimanaj ishte vetëm 10 vjeç kur u njoh me lahutën dhe prej atëherë nuk i është ndarë asnjëherë këtij instrumenti që ndër shekuj është ruajtur si element i rëndësishëm i identitetit kulturor në krahinat veriore.

Ky instrument njëtelësh me hark ndërtohet me dorë, duke gdhendur drurin e verrit, arrës në një trup të zbrazët të mbuluar me lëkurë.

Lahuta përbëhet nga koka, nga bishti ose tastiera sikurse i thonë, ka çelësin e parë dhe çelësin e dytë që mban telin. Teli dikur bëhej me bisht kali, tani përdoret spango. Ka dhe pjesën që bëhet me lëkurë qengji ose dhie”, shprehet Pjetër Nimanaj, instrumentist.

Kjo është përdorur për shekuj me radhë nga rapsodët për të rrëfyer historitë heroike të shqiptarëve përmes eposit të kreshnikëve.

Lahuta ka shërbyer një mjet i fuqishëm për ruajtjen e historisë dhe gojëdhënave shqiptare, ndër shekuj është përdorur nga rapsodët për të rrëfyer historitë heroike të shqiptarëve sikurse Eposi i Kreshnikëve, të cilin Nimanaj e interpreton për Top Channel.

Më tej ai thotë se “Lahuta është përdorur për këngë epike, për këngë trimërie. Edhe për këngë lirike është përdorur rrallë”.

Për lahutarin, përfshirja e artit të të kënduarit, të luajturit dhe bërja e lahutës në pasurinë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s ishte një lajm i shumëpritur. Për më shumë se 30 vite, Pjetër Nimanaj ia ka dedikuar profesionin fëmijëve, për të trashëguar te brezi i ri instrumentet autoktone, përfshirë edhe çiftelinë e sharkinë.

Jam përpjekur ta trashëgoj te brezi i ri, që te festivali i fëmijëve në Fushë Arrëz. I kam nxjerrë fëmijët me lahutë edhe në formacion orkestral, fëmijët e kanë me shumë qejf”, shton Nimanaj.

Sipas Nimanaj, ka rritje interesi nga të rinjtë për të përvetuar instrumentet tradicionale, ndërsa këtë vit synon të organizojë një koncert dedikuar lahutës, artit të lashtë të tingullit.

Kohët e fundit është shtuar shumë interesi. Madje kam parë që lahuta shitet edhe në rrugë, gjë që nuk më pëlqen. Aktualisht, në Dukagjin të Ri po punoj me 18 fëmijë, unë u kam thënë që këtë zanat tua t’jua fal. Dua t’i përgatis që ata të jenë të zot dhe të më zëvendësojnë”, thekson për Top Channel Pjetër Nimanaj, instrumentist.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB