Tragjedia me mbi 40 viktima në Zvicër, kush është çifti i pronarëve francezë të barit që u përfshi nga flakët natën e Vitit të Ri

02/01/2026 21:58

Në tragjedinë që goditi Le Constellation në Crans-Montana gjatë Natës së Vitit të Ri, pronarët francezë, Jacques dhe Jessica Moretti, kanë shpëtuar nga zjarri, por lokali i tyre u shndërrua në një kurth vdekjeprurës për të paktën 40 persona.

Lokali, i blerë nga çifti më 2015 dhe i njohur për atmosferën e tij après-ski, mund të presë deri në 400 persona. Ai shtrihet në dy kate: në katin e parë ndodhet kafeneja dhe bar me verandë mbi Alpet, ndërsa kati nëntokë, ku shpërtheu zjarri, ishte i dedikuar për festa me DJ, kokteje dhe narghilè. Sipas hetimeve paraprake, materialet prej druri dhe lëkure që dekoronin ambientin kanë favorizuar përhapjen e flakëve.

Jessica Moretti ishte prezent në lokal gjatë incidentit dhe ka pësuar djegie në krah, ndërsa Jacques ndodhej në një nga lokalet e tjera që zotëronin. Të dy janë intervistuar nga autoritetet dhe kanë dhënë informacion mbi konfigurimin e brendshëm të lokalit dhe masat e sigurisë, por aktualisht nuk janë të dyshuar.

Hetimet e prokurorisë fokusohen tek materialet e përdorura, pajisjet e sigurisë, rrugët e daljes dhe organizimi i brendshëm i lokalit, me dyshime për zjarr, vrasje dhe plagosje. Autoritetet po verifikojnë gjithashtu numrin e saktë të personave të pranishëm dhe mënyrën se si është përhapur zjarri, në mënyrë që të përcaktojnë çdo përgjegjësi penale.

Le Constellation ishte i njohur si një vend i frekuentuar nga të rinjtë dhe turistët, veçanërisht gjatë aktiviteteve après-ski dhe mbrëmjeve speciale. Tragjedia ka tronditur komunitetin lokal dhe ka hapur debat mbi standardet e sigurisë dhe materialet e përdorura në ambiente të ngjashme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB