Enzo Maresca nuk është më trajner i Chelsea-t. Klubi londinez dhe tekniku italian kanë arritur marrëveshje për ndërprerjen e bashkëpunimit, ndërsa Maresca nuk do të jetë në stol në ndeshjen e radhës ndaj Manchester Cityt.
Lajmi është konfirmuar nga gazetari i njohur Fabrizio Romano, i cili bën me dije se një deklaratë zyrtare nga klubi pritet së shpejti, por gjithçka është mbyllur pas tensioneve të forta të krijuara gjatë 24–48 orëve të fundit. Marrëdhënia mes palëve konsiderohet e thyer dhe pa mundësi rikuperimi.
Problemet mes Marescas dhe drejtuesve të Chelsea-t ishin bërë të dukshme edhe më herët. Trajneri italian nuk u paraqit në konferencën për shtyp pas barazimit 2-2 ndaj Bournemouth, me klubin që zyrtarisht e justifikoi mungesën e tij me arsye shëndetësore. Megjithatë, burime pranë klubit kanë zbuluar se bëhej fjalë për një vendim të qëllimshëm nga ana e trajnerit, si shenjë pakënaqësie ndaj situatës së krijuar.
Maresca kishte kërkuar kohë për të reflektuar mbi të ardhmen e tij në Stamford Bridge, por zhvillimet e fundit kanë përshpejtuar ndarjen. 45-vjeçari, i cili kishte firmosur një kontratë pesëvjeçare me Chelsea-n në qershor 2024, kishte shprehur respekt për klubin dhe tifozët, por ishte i bindur se kushtet dhe kërkesat e vendosura nga drejtuesit ishin të vështira për t’u pranuar edhe nga një trajner i nivelit të lartë.
Italiani shpresonte që fitimi i Conference League, Botërorit të Klubeve të FIFA-s dhe kualifikimi në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar do t’i jepnin mundësinë të ndërtonte një projekt afatgjatë, por marrëdhënia me drejtuesit u përkeqësua ndjeshëm muajt e fundit.
Deklarata e tij e bujshme se kishte kaluar “48 orët më të këqija të karrierës” para fitores ndaj Evertonit konsiderohet tashmë si kulmi i një pakënaqësie të akumuluar prej javësh.
Pas largimit të Marescas, Chelsea do të nisë menjëherë kërkimet për një trajner të ri. Sipas Fabrizio Romanos, emërimi i pasuesit nuk do të vonojë, me klubin që tashmë ka nisur punën për zgjedhjen e teknikut të ardhshëm.
Top Channel