Në Botërorin e Formula 1 është shndërruar në traditë që drejtuesit e skuderivë të kampionatit të përpilojnë një klasifikim të pilotëve pas përfundimit të sezonit. Ky vit nuk ka bërë përjashtim dhe tashmë është publikuar renditja e 10 më të mirëve për 2025 sipas shefave të skuadrave.

Ndonëse Lando Norris fitoi titullin botëror për këtë vit, britaniku nuk është piloti më i preferuar i drejtuesve të skuadrave. Në fakt në krye të klasifikimit të tyre është pikërisht Max Verstappen, fitues i 4 titujve radhazi me holandezin që edhe këtë vit iu afrua triumfit por pa sukses dhe e humbi titullin vetëm me 2 pikë kundrejt Norris që renditet në vendin e dytë në klasifikimin e drejtuesve të skuadrave të Botërorit.

Podiumi plotësohet nga piloti tjetër i McLaren, Oscar Piastri që u pozicionua në vendin e tretë, një vend ky që përkon edhe me atë në renditjen e përgjithshme të botërorit të Formula 1. Klasifikimi i vecantë vijon me George Russell, që fitoi 2 pozicione në krahasim me vitin e kaluar i ndjekur në vendin e pestë nga Fernando Alonso me Aston Martin me spanjollin që fitoi 4 pozicione në krahasim me sondazhin e vitit të kaluar.

Pas Alonsos pozicionohen Carlos Sainz në vendin e 6 që ka lënë pas pilotin e Ferrarit Charles Leclerc në vendin e 7 ndërkohë që dhjetëshja më e mirë e shefave të skuderive plotësohet nga debutuesi më i mirë i sezonit, Ollie Bearman, Isack Hadjar dhe Nico Hulkenberg që u renditën në vendin e 8, 9 dhe të 10.

Sipas asaj që informon Formula 1, drejtuesit e skuadrave që morën pjesë në këtë votim ishin: Andrea Stella (McLaren), Toto Wolff (Mercedes), James Vowles (Williams), Alan Permane (Racing Bulls), drejtuesit  e Aston Martin, Ayao Komatsu (Haas), Jonathan Wheatley (Sauber) dhe Steve Nielsen (Alpine). Nuk morën pjesë në këtë votim drejtuesit e Red Bull dhe Ferrarit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB