Kosova në prag zgjedhjesh, Serbia hap 300 vende të reja pune në shërbimin shëndetësor të vendit
Për shkak të kërkesës së mbrojtjes të të akuzuarve për përjashtimin e prokurorit special, Bekim Kodraliu, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë seanca fillestare për rastin e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit.
Avokati i të akuzuarit Jovan Viqentijeviç, Nebojsha Vllaiç tha se nuk ka vërejtje për trupin gjykues, por kërkoi që prokurori Kodraliu të përjashtohet nga lënda.
Sipas tij, klienti i tij u arrestua më 1 dhjetor 2024 dhe vetëm gjashtë ditë pas kësaj, ka parashtruar kërkesë për mbledhjen e provave. Sipas Vllaiçit, kjo kërkesë iu dorëzua prokurorisë së shtetit dhe gjykatës dhe provat iu dorëzuan të dyja palëve.
Vllaiç tha se atëbotë prokuror në këtë rast ishte Halim Borovci, ndërkaq tani është Bekim Kodraliu, duke pretenduar se nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga provat që ai i ka propozuar.
“Kam propozuar që të merren video-incizimet nga dy objekte që të bisedohet më së paku me katër persona, që të bëhet analiza bazike e stacioneve telefonike. Të vërtetohet nga cilat antena telefonike në kohën kritike Jovani ka pranuar sinjale. Kjo do të tregonte se ku ka qenë. Në asnjë mënyrë nuk është vepruar sipas kësaj. Janë marrë vetëm disa incizime të një kamere dhe janë shfaqur në mënyrë shumë selektive. Nuk është treguar koha- që është shumë e rëndësishme”, tha Vllaiç.
Mbrojtësi pretendoi se Kodraliu ka shkelur dispozitën e nenit 7 të Kodit të Procedurës Penale, i cili thotë se është i obliguar që me kujdes t’i vërtetojë faktet që shkojnë në dobi apo dëm të të pandehurit.
Vllaiç pretendoi se provat janë humbur përgjithmonë sepse askush nuk është i obliguar që t’i ruajë incizimet për një vit, nëse nuk ka një urdhër për një gjë të tillë. Nisur nga kjo, sipas tij, është shkelur neni i Kodit të Procedurës Penale sa i përket një procesi të drejtë dhe mbrojtje të drejtë.
Të gjitha këto shkelje të pretenduara, sipas Vllaiçit, nxisin dyshime “në paanshmëri të prokurorit”.
Kërkesën për përjashtimin e Kodraliut, Vllaiç tha se e ka dërguar edhe te kryeprokurori i shtetit.
Ndërkaq, avokati i Dragisha Viqentijeviç, Millosh Delleviç, iu bashkëngjit kësaj kërkese.
Ai tha se ka parashtruar kërkesë te prokurori që të dëgjohen katër dëshmitarë, të mblidhen video-incizimet e kamerave nga dy objekte në Zubin Potok, të cilat pamje janë një orë para dhe një pas shpërthimit.
Por, sipas Delleviç, deri sot prokurori nuk ka vepruar sipas kërkesës së tij, duke konsideruar kështu se është dëmtuar e drejta e tij për mbrojtje.
Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Igor Dimoviç, Jelena Krivokaçiç kërkoi që seanca të ndërpritet. Megjithatë, ajo tha se nuk ka asnjë vërejtje për prokurorin.
“Konsideroj që në mënyrë të pakthyeshme e ka dëmtuar të drejtën në mbrojtje të Dragisha Vishetijeviç. Përveç neneve që përmendi kolegu Vllaiç, ai ka shkelur edhe nenin 47 të KPP-së i cili parasheh obligimin e prokurorit special ndaj të pandehurit. Ai nen parasheh që prokurori shtetëror gjatë hetimeve t’i shqyrtojë provat dhe faktet të cilat e rëndojnë të pandehurin dhe ato që i shkojnë në dobi”, tha ai.
Prokurori special, Bekim Kodraliu, u shpreh se ndoshta mbrojtjes nuk i pëlqen hetimi që ka zhvilluar, por theksoi se sulmi ka qenë i përgatitur në mënyrë profesionale dhe i koordinuar në mënyrë të përsosur.
Sipas tij, provat që i ka propozuar mbrojtja i ka analizuar dhe janë dëgjuar edhe sot. Kodraliu u shpreh se komunikimet telefonike të të akuzuarit Jovan kanë qenë përmes sistemit telefonik të Serbisë dhe se u janë drejtuar autoriteteve serbe dy herë me kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar.
Por, Kodraliu theksoi se përkundër kësaj, nuk kanë pranuar përgjigje nga ata.
“Ka qenë sulm që ka cenuar direkt sigurinë kombëtare dhe në atë fazë s’kemi mund të vlerësojmë se kush është dëshmitar, kush është i dyshuar në këtë rast penal. Hetimet i kemi zhvilluar me partnerë ndërkombëtarë”, theksoi ai.
Kodraliu tha se prokuroria ka vlerësuar se në këtë fazë, dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja nuk paraqesin relevancë që do të ndihmonin në zbardhjen e këtij rasti.
“Kolegu Vllajiç ka qenë edhe ish-prokuror në sistemin jugosllav dhe është njoftuar cilat janë bazat ligjore për përjashtimin e prokurorit. Më konkretisht neni 43 i KPP-së, i parasheh pesë arsye të cilat mund dhe është e obligueshme të përjashtohet prokurori”, u shpreh ai.
Sipas tij, pesë arsyet janë: kur është palë e dëmtuar në proces, kur është familjar me të pandehurit apo të dëmtuarin, kur është kujdestar ligjor apo është prind i të pandehurit apo të dëmtuarit, nëse kam marr pjesë si gjyqtar në këtë proces gjyqësor dhe nëse unë si prokuror kam ndonjë konflikt interesi me këta të pandehurit – “me sa e di unë nuk kam ndonjë konflikt interesi”.
Kodraliu tha se është në dorën e gjyqtarit të vendosë për ndërprerjen e seancës dhe më pas gjykatësi Vesel Ismaili vendoi që seanca të ndërpritet, derisa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të marrë një vendim.
Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i tha Radios Evropa e Lirë se Kodi i Procedurës Penale përcakton që lidhur me kërkesën për përjashtimin e një prokurori nga një çështje me kërkesën e palëve, vendos kryeprokurori nga prokuroria nga vjen prokurori, në këtë rast i Prokurorisë Speciale, dhe atë brenda shtatë ditësh.
Në seancën fillestare, që u ndërpre, të pranishëm ishin vëllezërit Viqentijeviç, ndërkaq Dimoviç po mbrohet në liri.
Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Dragisha dhe Jovan Viqentijeviçit dhe Igor Dimoviçit për veprat penale: “rrezikim i rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike”, “kryerje e aktit terrorist”, “armëmbajtje pa leje” dhe “spiunazh”.
Dragisha dhe Jovan Viqentijeviç janë arrestuar pas shpërthimit më 29 nëntor 2024 dhe, që nga ajo kohë, ndodhen në paraburgim.
Sipas aktakuzës, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviç, më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, e kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksplozivë që shërben për përdorim ushtarak (TNT) në brendësi të kanalit të Ibër-Lepencit, “përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike”.
“Të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarrpërcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasoj është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të Ibër-Lepencit; është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore të Kosovës; është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi, çka me këto veprime të pandehurit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës, ndërmarrjes Ibër-Lepenc i është shkaktuar dëm materiale në vlerë prej 376.774.70 euro”.
Sipas aktakuzës, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok dhe tjetra në fshatin Prevllak të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga Policia e Kosovës, u është gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.
Aktakuza po ashtu thotë se Jovan Viqentijeviç, në cilësinë e të rekrutuarit të Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, “ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës dhe t’ua komunikojë këtij shërbimi, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj, e të cilat informacione dhe dokumente i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit”.
Në shtëpinë e të pandehurit të tretë, Igor Dimoviç, pas sulmit janë gjetur tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa uniforma ushtarake, të cilat i janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.
Për shqyrtimin gjyqësor, Prokuroria ka ofruar prova si raporte të ndryshme të Policisë së Kosovës, që përfshijnë raportin nga vendi i ngjarjes, kontrollin e pronave, raportin mbi analizimin e pajisjeve elektronike, raporte zyrtare nga KFOR-i amerikan lidhur me ekzaminimet preliminare të mbetjeve të eksplozivit pas shpërthimit, si dhe raportet zyrtare nga Ministria e Brendshme e Italisë lidhur me ekzaminimet e dëshmive nga vendi i ngjarjes.
Mes tyre është edhe raporti i ekspertimit gjeologjik të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) mbi mostrat e “dheut të çizmeve”, të sekuestruara në shtëpinë e vëllezërve Viqentijeviç, së bashku me mostrat referente të dheut të siguruara nga ekspertët e Policisë së Kosovës dhe zyrtarët e FBI-së të marra në vendin e ngjarjes, si dhe në oborrin e shtëpisë së të pandehurve.
“…nga të cilat mostra qartazi vërtetohet se në mes dheut të marr nga çizmet e të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviç dhe mostrave të dheut të marra në vendin e ngjarjes, më konkretisht në kanalin Ibër-Lepenc nuk ka dallueshmëri, për sa i përket strukturës, ngjyrës dhe përbërjes së dheut, çka vërteton se të pandehurit kanë kryer aktin terrorist”.
Prokuroria në aktakuzë kërkon që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen, duke i obliguar të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale, si dhe të bëjnë kompensimin e dëmit ndaj Ibër-Lepencit në vlerën prej 376.774.70 eurosh.
Jovan Viqentijeviç, në dëshminë e tij të dhënë Policisë së Kosovës më 2 dhjetor 2024, ka thënë se në ditën kritike në mëngjes është takuar me një shok në Zubin Potok, ndërsa nga ora 08:30 deri në ora 13:00 ka qenë në punë, në një shkollë, dhe më pas ka shkuar në shtëpi. Rreth orës 15:00, sipas dëshmisë së tij, ai ka shkuar në fshatin Veli Breg “për të shkrirë dhjam”, ku ka qëndruar deri në ora 19:00–20:00.
Sipas Prokurorisë, Jovan Viqentijeviç ka tentuar të ndërtojë alibinë e tij të rrugëtimit.
“Ky përfundim ndërtohet sipas rezultateve të rrugëtimit të tij, dëshmive të ADN-së dhe mostrave të dheut të marra nga vendi i ngjarjes dhe nga çizmet e tij, të cilat e vërtetojnë faktin se i njëjti ka kryer këtë sulm terrorist”.
Sipas aktakuzës, dëshmia e vëllait të tij, Dragisha Viqentijeviç, është kundërthënëse në vetvete dhe me veprimet e të pandehurit Jovan Viçentijeviç.
Jovani ka përmendur po ashtu se është takuar me vëllain në mëngjesin e ditës kritike, gjë që nuk e ka përmendur fare Dragisha.
Prokuroria po ashtu, nga ekzaminimi i dosjes elektronike, ka nxjerrë fotografi të të pandehurit Jovan Viqentijeviç i veshur me uniformë ushtarake, si dhe komunikime në lidhje me sulmin.
Në aktakuzë thuhet se Prokuroria Speciale, i ka paraqitur autoriteteve serbe, disa herë kërkesa për ofrimin e provave konkrete për ndriçimin e këtij rasti, përmes zyrës se BE-së në Kosovë, për hetimin e të cilit kishin shprehur gatishmërinë e tyre për bashkëpunim, “por deri me tani nuk kemi pranuar asnjë provë apo ndihmë juridike në këtë rast penal nga Serbia”.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 10 dhjetor se të dhënat e inteligjencës tregojnë se tre të akuzuarit për shpërthimin në kanalin Ibër–Lepenc kanë qenë të lidhur ngushtë me strukturat shtetërore të Serbisë.
Beogradi zyrtar ka mohuar çdo lidhje me këtë shpërthim, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë më herët se ka disa njohuri se kush mund të jetë kryerësi, pa dhënë më shumë detaje.
Ai ka shprehur gatishmërinë e Beogradit për bashkëpunim në zhvillimin e hetimeve me të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, si dhe ka deklaruar se “në të njëjtin sekondë” do të ndalohet dhe arrestohet kushdo nëse rezulton se përgjegjës është një person i etnisë serbe që ndodhet në territorin e Serbisë.
Kryeprokurori publik në Beograd, Nenad Stefanoviç, ka thënë pas shpërthimit se pret një “hetim gjithëpërfshirës për të përcaktuar të vërtetën dhe të gjitha faktet relevante”.
Megjithatë, deri më tani, nuk dihet nëse organet e drejtësisë në Serbi kanë nisur ndonjë hetim./ REL
Top Channel