Federata Shqiptare e Futbollit pritet të realizojë një investim madhor në infrastrukturën e vendit teksa do të ndërtojë një hotel modern pranë kompleksit ‘Shtëpia e futbollit’.

Bëhet fjalë për një hotel që do të shërbejë për akomodimin e skuadrave kombëtare gjatë grumbullimit të tyre duke nisur nga Kombëtarja A në futbollin e djemve dhe vajzave e deri të skuadrat e moshave

Qeveria e futbollit shqiptar prezantoi projektin e këtij hoteli që do të jetë me 5 kate mbi tokë dhe 2 nën tokë. Ai do të ketë 87 dhoma, ndërkohë që në të do të përfshihen edhe ambiente funksionale si restorante, salla konferencash. Kapaciteti i tij do të mundësojë akomodimin e deri në katër ekipeve kombëtare njëkohësisht, veçanërisht në raste turnesh.Në të njëjtën kohë, Hoteli i skuadrave kombëtare do të ketë një kat për parkimin, si dhe ambiente të tjera si pishina apo palestra.

Federata Shqiptare e Futbollit bën të ditur se tashmë ka aplikuar për t’u pajisur me lejen përkatëse të ndërtimit dhe menjëherë pas miratimit të saj, do të nisin punimet për këtë hotel. Investimi për këtë hotel bëhet me synimin e krijimit të kushteve më optimale të mundshme për skuadrat kombëtare, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të kompleksit “Shtëpia e Futbollit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB