Ju kujtohet Rafinha Alcantara? Deklaron tërheqjen nga futbolli, ‘u tradhtua’ nga fiziku i tij

22/12/2025 22:21

Bota e futbollit përshëndet një talent që shumë shpesh është tradhtuar nga brishtësia e trupit të tij. Rafinha Alcantara, djali i kampionit të botës, Mazinho dhe vëllai i Thiago, vendosi të thotë mjaft. Tashmë në moshën 32 vjeçare, mesfushori brazilian njoftoi zyrtarisht tërheqjen nga futbolli i luajtur.

Ishte një vendim i vuajtur dhe i marrë pas më shumë se 1 viti problemesh me dëmtimin në gju që në fund nuk i la zgjidhje tjetër. I formuar në akademinë e Barcelonës, La Masia, Rafinha zgjodhi rrjetin social Instagram per të shprehur emocionet me ndjekësit e tij nëpërmjet një video që përshkon etapat e karrierës së tij duke shpjeguar edhe arsyet e marries së këtij vendimi.

‘Mora vendimin per t’u tërhequr- theksonte Rafinha-para pak më shumë se një viti pësova një dëmtim në gju që për fat të keq më pengon që të kthehem të luaj në nivelet maksimale’. 

Pranimi i realitetit ishte një rrugëtim i dhimbshëm për një person që ka pasur topin e futbollit si dhuratë të parë dhe si shok të përditshëm për 20 vjet. Megjithatë, braziliani shikon të kaluarën me mirënjohje. 

‘Ishte një udhëtim shumë i bukur-vijon Rafinha-kam jetuar në vende të ndryshme, kam mësuar gjuhë, kam njohur kultura dhe kam qenë në një dhomë zhveshjeje me idhujt e mi. Futbolli më ka dhuruar momente të paharrueshme’.

Tani për Rafinha hapet një kapitull i ri që i dedikohet familjes, që përkufizohet si motori i tij i ri. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB